Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Prishtinë do të realizohet projekti i kamerave të veshura në trup për Policinë Rajonale të Gjilanit.
Kjo sipas tij po ndodh pas aktivizimit të 83 kamerave në qytet.
“Ambasada Amerikane në Prishtinë, në veçanti INL – Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit po ndihmon Komunën e Gjilanit, konkretisht Policinë, në procesin e monitorimit me kamera dhe softuerë”, tha Hyseni.
Kryetari i Gjilanit ka theksuar më tej se pas aktivizimit të 83 kamerave në qytet, po vazhdojnë me realizimin e projektit të instalimit të kamerave në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Prishtinë, duke shtuar numrin e tyre edhe në lokacione të tjera në mënyre që të krijohet një siguri më e madhe për qytetarët.
“Ky projekt është tejet i rëndësishëm për sigurinë e bashkëqytetarëve, andaj është i mirëseardhur edhe realizimi i projektit të kamerave të veshura në trup edhe për policinë në rajonin e Gjilanit, projekt ky i cili po zbatohet në tërë Kosovën me ndihmën e INL në Ambasadën Amerikane”, tha Hyseni.
Më tej kryetari ka theksuar se përderisa komuna garanton mirëmbajtjen e tyre, policia përfiton nga ky projekt në monitorim dhe siguri të qytetarëve.
Bashk me kryetarin ishin edhe Agron Rukiqi, drejtor i Policisë Rajonale të Gjilanit dhe Agim Lipovica, komandant i Stacionit Policor në Gjilan.