image "Po t'i lë 10 euro për kafe", arrestohet shtetasi shqiptar që tentoi ta korruptojë policin në Vërmicë

Siguri

“Po t’i lë 10 euro për kafe”, arrestohet shtetasi shqiptar që tentoi ta korruptojë policin në Vërmicë

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një shtetas shqiptar, pasi i njëjti ka tentuar që ta korruptojë me 10 euro një zyrtar policor në pikëkalimin kufitar në Vërmicë.

Policia ka njoftuar se i dyshuari kishte lënë paratë në pasaportë dhe pasi ishte pyetur nga policët kufitarë i kishte thënë se ia ka lënë për kafe.

I dyshuari me inicialet Q.H. me urdhër të prokurorit është dërguar në qendrën e ndalimit.

Njoftimi i plotë:

Sot më datë 6.08.2021, në orën 05:55 minuta, në pikëkalimin kufitar në Vermicë, një shtetas nga Shqipëria gjatë kalimit të kufirit Shqipëri – Kosovë, kishte tentuar që t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë gjatë kontrollave të kalimit kufitar.

Shtetasi shqiptar me inicialet  Q.H, i lindur në vitin 1971, gjatë procesit të kontrollit, në pasaportën e tij kishte lënë një kartëmonedhë (10 euro), dhe kur është pyetur nga zyrtari  kufitar për kartëmonedhën, i njëjti ishte përgjigjur se i kishte lënë për kafe.

Me këtë rast zyrtarët policorë kanë marrë masat e nevojshme, është njoftuar prokurori kujdestar me urdhër të të cilit  personi i dyshuar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës si dhe kartëmonedha është konfiskuar si dëshmi materiale.

Pas perfundimit të procedurave personi i dyshuar, me urdhër të prokurorit është dërguar në qëndrën e ndalimit, kurse malli së bashku me automjetin është kthyer prapa.

/Gazeta Sinjali/