image Po rrënohet historia, kullat e Jasharëve rrezikojnë të shemben

Kosovë

Prekaz/ Po rrënohet historia, kullat e Jasharëve rrezikojnë të shemben

news image

Shtëpitë që janë dëshmi e fortë e sakrificës së familjes Jashari dhe simbol i lirisë për shqiptarët e Kosovës, arritën të qëndrojnë në këmbë edhe kur mbi to, në marsin e vitit 1998, u hodhën predha nga pushtuesi serb.

Megjithatë, paradoksi është se 22 vjet pas asaj beteje të përgjakshme e sakrifice, tashmë në kohë paqeje, këto dëshmi rrezikojnë të shemben.

Lënia në këtë gjendje e kullave të Jasharëve në Prekaz, sidoqoftë, nuk i pengoi rreth 13 milionë vizitorë që ta shprehin admirimin e tyre ndaj veprës së burrave, grave e fëmijëve të kësaj familjeje.

Konservimi i këtyre kullave ishte planifikuar të niste në vitin 2019, kur me vendim të qeverisë Haradinaj, ishte themeluar një komitet ndërministror. Por, proceset e mëpasshme politike si dorëheqja e Haradinajt, zgjedhjet e tani virusi, bënë që ky komitet të mos punojë.

Kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari thotë se investime ka pasur, por që janë bërë në formën e gabuar. “Është nis nga fushat nga varrezat të cilat nuk kanë pasur ku të shkojnë, dhe janë lanë kullat, pra të cilat në çdo ditë, çdo sekondë edhe tash kur po flasim mund të shemben, e pastaj me u pendu të gjithë ne”, u shpreh Jashari për RTK-në.

Mungesa e një projekti dhe situata politike rezulton se ishte problem kryesor që kullat të mos konservohen. Kështu thotë drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj.

“Vonesa në projekt nuk është problem i mjeteve, por Ligji i cili e ka paraprë krijimin e komiteti dhe ky komitet po mbete peng i politikave ditorem, dhe mosfunksionalitetit të qeverisë”, thotë Zogaj. Menjëherë pas luftës ishte krijuar një projekt për ruajtjen e përkohshme të kullave. Por nga ajo kohë nuk është bërë shumë, aq sa edhe një nga arkitektët që ndihmoi në hartimin e atij projekti, të shpreh zhgënjimin e saj.

“Atëherë janë dhënë masat emergjente, që janë plnaifikuar për konsolidimin e situatës përkohësisht, për 2-3 vite. Gjendja është shumë e rëndë teknike, e amortizuar sepse ndërtesa ka pasur goditje të mëdha, dhe ka mujt me duru. Cuditem për faktin se si po qëndron ende”, shprehet Xhejlane Hoxha.

Qeveria në detyrë nuk ka kthyer përgjigje nëse planifikon ta funksionalizojë sërish komitetin e krijuar vitin e kaluar.

Në vitin 2018 Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për Kompleksin Adem Jashari. Sipas këtij ligji, përgjegjës për projektin e kompleksit është komiteti ndërministror i krijuar nga Qeveria.