Qytetarë serbë të cilët në të kaluarën kanë pasur të drejtë vote në Kosovë por kanë ndërruar jetë vite më parë, figurojnë si votues në zgjedhjet e 6 tetorit në listën e votuesve jashtë Kosovës, konkretisht Serbi.
Në votat e ardhura me postë nga Serbia, të cilat u shpallën të pavlefshme në një vendim të PZAP-së të hënën, figurojnë edhe votues që nuk jetojnë më.
Zorka Nikshiq, një grua nga Serbia e cila në të kaluarën ka pasur të drejtë vote në Kosovë, por që ka ndërruar jetë më 2018, ka figuruar si votuese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.
Sipas një shpallje për të vdekurit, rezulton se Zorka Nikshiq ka ndërruar jetë më 9 nëntor të vitit të kaluar.
E në listën e votuesve nga jashtë Kosovës në zgjedhjet e fundit, figuronte edhe emri i Dobrivoje Ivanoviq, një ish-qytetari serb nga Kosova që ka ndërruar jetë në vitin 2002.
Për vdekjen e Dobrivoje Ivanoviq ka shkruar më 9 tetor Miqa Ivanoviq, djali i tij. Ka thënë se e ka pritur që babai i tij të rezultonte në listën e votuesve nga jashtë.
“[…] dhe për fat të keq TË VDEKURIT tanë (sidomos babai im Dobrivoje 1940 – 2002, e kam pritur, e kam listën zgjedhore si dokument, të mos del se po shkruaj marrëzira), nuk kan mundur të vijnë sepse nuk ka pasur transport të organizuar por edhe kanë munguar ‘sendviçët’”, ka thënë Miqa Ivanoviq në një shkrim në Facebook.
Ndonëse gati të gjitha votat e ardhura me postë nga Serbia për zgjedhjet e 6 tetorit i takuan Listës Serbe, ky subjekt nuk është ankuar në Gjykatën Supreme pas anulimit të këtyre votave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ankesën pranë Gjykatës Supreme e kanë dorëzuar tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë: Alban Hyseni, Arta Bajralija dhe Enver Haliti.
Tre deputetët e Vetëvendosjes, pas vendimit të PZAP-së për anulimin e votave nga Serbia, e dorëzuan ankesën për anulim të vendimit të PZAP-së me arsyetimin se janë vënë në mbrojtje të “së drejtes së tyre si deputetë të zgjedhur”. /Gazeta Sinjali/