image Planifikohet hapja e një çerdheje në një fshat të Vitisë

Kosovë

Arsim/ Planifikohet hapja e një çerdheje në një fshat të Vitisë

news image

Ministria në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Komuna e Vitisë janë duke diskutuar mundësitë e shndërrimit të objektit të shkollës së fshatit Çifllak të Vitisë në çerdhe publike, shkruan Gazeta Sinjali.

Kështu bëri të ditur Komuna e Vitisë përmes një komunikate për media.

Sipas njoftimit thuhet se kjo çerdhe parashihet t’i shërbejë fshatit Pozhoran dhe fshatrave përreth.

“Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot në takim Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami. Gjatë këtij takimi ata kanë bashkëbiseduar rreth mbarëvajtjes së mësimit në distancë si dhe rreth mundësisë së shndërrimit të objektit të shkollës së fshatit Çifllak në çerdhe publike që do të i shërbejë Pozheranit dhe fshatrave për rreth”, thuhet në komunikatë.

Haliti tha se komuna që ai udhëheq është ballafaquar me disa vështirësi, shkaku i gjendjes së krijuar nga COVID-19, por duke theksuar se kjo situatë tani për tani ka kaluar pasi që nuk ka raste të reja dhe të gjithë të infektuarit me COVID-19 janë shëruar. Ai shtoi se kjo u bë e mundur falë bashkëpunimit të mirë me të gjithë.

“Projekti ynë është që shkollën në mes të Pozheranit dhe Tërpezës, pra në fshatin Çifllak, si paralagje e Pozheranit ta shndërrojmë në çerdhe publike. Ky objekt është i mirë ndërtuar dhe na shërben shumë që ta kthejmë në rifunksionalitet pasi që për këtë tani kemi nevojë” citohet të ketë thënë ai.

Haliti dhe Bajrami pas takimit vizituan objektin të cilin planifikojnë ta kthejnë në çerdhe, për të cilën Bajrami tha se është prioritet i MASHTI-t dhe nevojë e madhe e këtij fshati.

“..Sot do të vizitojmë objektin e vjetër i cili është prioritet i komunës së Vitisë, por edhe të Ministrisë së Arsimit, që mundësisht gjatë këtij viti të shndërrojmë në çerdhe publike, pra për Pozheranin që është një fshat shumë i madh dhe konsiderojmë se është tepër e nevojshme që aty të kemi një qendër të kujdesit ditor për fëmijë” u shpreh ajo, duke bërë të ditur se për këtë edhe kanë ndarë buxhetin dhe janë duke shpresuar në implementimin e këtij projekti.

Ndërkaq e pyetur nga gazetarët lidhur me projektin e ri të shkollës fillore të mesme të ulët “Halil Alidema” në Pozheran që është duke u ndërtuar, ajo potencoi se ky projekt po implementohet nga Ministria e Administratës Publike dhe sipas informatave të cilat ata posedojnë ky projekt është ballafaquar me disa probleme me operatorë të ndryshëm, për të cilën ajo kërkoi zbatim më të shpejt të ligjit, që operatorët e papërgjegjshëm të ndëshkohen sa më parë.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Vitisë, Basri Aliu, i cili e njoftoi ministren në detyrë për mësimin në distancë që po zhvillohet në komunën e Vitisë.

“Pjesa më e madhe e nxënësve tanë janë duke vijuar mësimin në distancë. Fatmirësisht mësimdhënësit tanë me vetiniciativë kanë mbajtur mësim nga largësia dhe atë përmes aplikacioneve të ndryshme dhe atë para fillimit të transmetimit në televizionin publik. Për këtë dua në veçanti të falënderoj edhe mësimdhënësit e Teknologjisë Informative të cilët i kanë ndihmuar mësimdhënësit në përdorimin e këtyre aplikacioneve”, tha drejtori Aliu./Gazeta Sinjali/