image Plani i SHBA-së për ndaljen e emetimeve të dyoksidit të karbonit

Botë

Plani i SHBA-së për ndaljen e emetimeve të dyoksidit të karbonit

news image

Thekra dhe barishtet e tjera kultivohen në njërën nga fermat në Ohio, por nuk janë për ngrënie.

Bujku Rick Clifton i mbjell ato jashtë sezonit, pas vjeljes së sojës në vjeshtë dhe para se të nisë mbjellja pranverore.

Falë vlerës së tyre në ambient, ai po fiton para nga to dhe po redukton emetimin e karbonit në tokën e tij.

Ekspertët besojnë se mbjellja e drithërave çdo vit dhe shmangia e dimrit pa të mbjella, është një praktikë që mund të reduktojë emetimin e gazeve që po ngrohin planetin.

Presidenti amerikan, Joe Biden, në një fjalim para Kongresit në muajin prill, ka thënë se projektet e tilla mund të ndihmojnë ambientin dhe të sigurojnë vende të punës.

Ka thënë se bujqit po mbjellin drithëra për ta reduktuar dyoksidin e karbonit në ajër dhe se për këtë, madje po paguhen.

Bideni ka urdhëruar Departamentin e Agrikulturës që të hartojë një plan që praktikat e tilla të jenë të zakonshme në bujqësinë amerikane.

Krejt industritë janë në presion të madh për të reduktuar emetimin e gazeve, kryesisht duke kaluar në energjinë e ripërtërirë.

Mirëpo, bujqit kanë diçka që të tjerët nuk kanë arritur deri më tani: nxjerrjen e dyoksidit të karbonit nga atmosfera dhe ruajtja në një lloj depoje.

Bimët e përdorin dyoksidin e karbonit në fotosintezë, proces për krijim të ushqimit.

Lance Unger së fundmi ka mbjellë 3 mijë hektarë me drithëra në Indiana si pjesë e planit për reduktimin e dyoksidit të karbonit.

Nuk është se po fitojmë shumë para nga ky proces, por e dimë se si mund ta çojmë bujqësinë përpara”, ka thënë Unger.

66-vjeçari Clifton ka nisur rritjen e drithërave para disa vjetësh me qëllim që misri të jetë më i shëndetshëm.

Ka nënshkruar kontratë me të cilën do të paguhet 175 mijë dollarë në pesë vjet për reduktimin e gazeve në 1 mijë hektarët e tokës së tij.

“Po ruajmë pak gjelbërim çdo vit, po ushqejmë mikrobet dhe po sekuestrojmë më shumë karbon. Nëse dikush ju paguan për këtë, do të ishit shumë budalla të mos e pranonit”, ka thënë ai.

Qindra amerikanë kanë ofruar 1 milion hektarë tokë me qëllim që të marrin pagesa për reduktimin e emetimeve të dyoksidit të karbonit.

Sipas vlerësimeve, çdo vit, tokat bujqësore mund të thithin 276 milionë tonë të dyoksidit të karbonit nga atmosfera. /Gazeta Sinjali/