image Plani i partisë së Ramush Haradinajt që do ta pranonte heqjen e taksës ndaj Serbisë

Kosovë

Politikë/ Plani i partisë së Ramush Haradinajt që do ta pranonte heqjen e taksës ndaj Serbisë

news image

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka folur rreth mundësisë së heqjes së taksës ndaj Serbisë.

Nitaj në një përgjigje me shkrim për Gazetën Sinjali, ka deklaruar se taksa do të mund të largohet përkohësisht ‘në rast të një oferte për një marrëveshje kornize ligjërisht të obligueshme’.

“Qeveria aktuale duhet të kushtëzojë heqjen e taksës me njohje, që është përcaktim strategjik i Kosovës dhe unë besoj edhe orientim i partnerëve tanë. Në rast të një oferte për një marrëveshje kornize ligjërisht të obligueshme, tarifa do të mund të suspendohet për disa ditë, ose për një kohë të caktuar, për t’i dhënë shans dakordimit final të saj, ndërkaq finalja që do të rezultonte me njohje të ndërsjellë do të nënkuptonte edhe heqjen me automatizëm të taksës”, ka thënë Nitaj.

Tutje, ai ka theksuar se AAK-ja do të shfrytëzojë të gjitha format e luftës politike për kundërshtimin e heqjes së taksës.

Nitaj ka shtuar se janë duke u koordinuar me partitë e tjera opozitare kundër heqjes së taksës

“Ka një nismë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për taksën, por nuk e di deri ku kanë shkuar përgatitjet. E di që janë në fazën e mbledhjes së nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme”, ka thënë Nitaj.

Nitaj e ka kujtuar sërish letrën publike që Haradinaj i ka dërguar Kurtit, duke ritheksuar se nëse taksa hiqet, Aleanca do ta mbajë Kurtin përgjegjës për pasojat./Gazeta Sinjali/