Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha se Jerusalemi “nuk është në shitje” duke iu referuar planit të paqes për Lindjen e Mesme, të prezantuar të martën nga presidenti amerikan, Donald Trump. Plan i cili, sipas tij, është projekt për pushtim.
“Ata flasin për marrëveshjen e shekullit? Cila marrëveshje? Ky është një projekt për pushtim”, deklaroi Erdogan.
“Jerusalemi është linja jonë e kuqe (…) Jerusalemi nuk është për t’u shitur”, shtoi ai.
Kurse, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e cilësoi si “marrëveshja e shekullit” planin e Donald Trump gjatë një takimi në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Erdogan, i cili është mbështetës i madh i kauzës palestineze, tha se është i papranueshëm një plan që e prezanton Jerusalemin si kryeqytet të pandarë të Izraelit.
Jerusalemi është një pikë fërkimi në marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së, tashmë shumë të tendosura për shumë çështje ndërkombëtare./Gazeta Sinjali/