Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pezulluar nga detyra gjyqtarin Sali Berisha, i cili është arrestuar nën dyshimin se ka kërkuar 6 mijë euro për një vepër penale.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skënder Çoçaj, ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e gjyqtarit të Departamentit të Krimeve të Rënda, në Gjykatën Themelore në Pejë, Sali Berisha.
Këshilli aprovoi kërkesën e U. D Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Sami Sharaxhiu, për pezullimin nga detyra e gjyqtarit Sali Berisha, njofton KGjK.
“KGjK, shpreh shqetësimin lidhur më këtë rast dhe njëkohësisht gatishmëri për përkrahjen e organeve gjegjëse të sistemit të drejtësisë në procedurat e mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e KGjK-së./Gazeta Sinjali/