Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se negociatat e së hënës në Bruksel me kryenegociatiorin e Kosovës, Besnik Bislimi ishin “shumë të vështira dhe zgjatën më shumë se tetë orë “, dhe se siç tha ai “është pothuajse e pamundur të bisedohet seriozisht me të”.
Petkoviq tha për TV Pink se Serbia dhe BE-ja kanë paraqitur propozime konkrete për Asociacionin e komunave me shumicë serbe si dhe personat e zhdukur, ndërkaq sipas tij, Bislimi ka thënë se Kosova do t’i dërgojë propozimet e saj brenda një jave.
“Në vend që të ishte temë, dhe ne erdhëm të përgatitur për të dhënë sugjerimet dhe propozimet tona dhe për të bërë një hap më tej, Bislimi erdhi pa asnjë letër për temat që duhej të diskutonte dhe tha se do t’i dërgonte përgjigjet e tij pas shtatë ditësh. Ata nuk duan të flasin, dhe për ne gjithmonë tema e parë është Asociacioni, dhe të gjitha incidentet në terren ndodhin sepse nuk ka asnjë mekanizëm për të mbrojtur të drejtat kolektive dhe individuale të serbëve në Kosovë”, tha Petkoviq.
Deklarata të ngjashme për palën kosovare, kryenegociatori i Serbisë pati edhe më 15 maj pas përfundimit të takimit në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.