Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi sot se do të rritet numri i vendeve që do ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ai tha se Beogradi do të përdorë të gjitha mjetet juridike dhe politike për të mbrojtur interesat serbe dhe për t’iu përgjigjur siç tha ai “sjelljes së pamatur, të papërgjegjshme dhe të paligjshme të Prishtinës”.
Petkoviq tha për RTS-në se Beogradi dëshiron të bisedojë me Prishtinën dhe të shkojë drejt normalizimit të marrëdhënieve, por se shteti serb nuk do të “vëzhgojë në heshtje” derisa Kosova anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
Dje Serbia ka mbledhur seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një ditë pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Pas seancës kryediplomati serb, Nikola Selakoviq, paralajmëroi tërheqje të njohjeve nga disa shtete.