Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për tensionet në komunat veriore të Kosovës.
Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Të dielën, rrugët janë bllokuar edhe në pjesë të tjera në veri të Kosovës.
Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, janë përgjegjësit kryesorë për situatën në veri të Kosovës. Petkoviq, në anën tjetër, ka akuzuar Kurtin për krizën.
“Fajtori i vetëm për situatën aktuale në Kosovë dhe Metohi është Albin Kurti, i cili me lëvizjet e tij të papërgjegjshme po shkakton krizë të re në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Petkoviq në një deklaratë me shkrim.
Petkoviq tha gjithashtu se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për paqe, stabilitet dhe dialog, si mekanizmi i vetëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura, shkruan REL.
“Mesazhi i vetëm i dërguar sot [ 31 korrik, 2022] nga Rashka dhe Beogradi është mesazhi i paqes dhe nevoja për respektimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin urgjent të Asociacionit të Komunave Serbe”, tha Petkoviq.
Petkoviq tha se dërgimi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në veri është nxitje e situatës.
Ai i bëri këto deklarata pasi serbët lokal bllokuan rrugët kryesore që dërgojnë në pikat kufitare në veri, Jarinjë dhe Bërnjak.