Rastet e dhunës në familje, ku viktima shpeshherë janë femrat nuk po janë të rralla, shkruan Gazeta Sinjali.
Pesë raste të tilla kanë ndodhur edhe përgjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.
Një rast i dhunës në familje ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Prishtinë, ku një femër ka raportuar në polici se bashkëshorti i saj e ka kërcënuar përmes mesazheve. Rasti është nën hetime.
Një person në Gjilan është arrestuar pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht motrën e tij të mitur dhe si pasojë e lëndimeve trupore që ka pësuar viktima është dërguar për tretman mjekësor. Në lidhje me këtë rast i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur dje në Gjilan, ku është arrestuar një person pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij ka kanosur dhe ka tentuar t’i sulmoj bashkëshorten dhe djalin e tij. Në lidhje me këtë rast është konsultuar prokurori i shtetit, me vendim të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një person është arrestuar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj familjares së tij e cila nuk ka pranuar që të marrë tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Malësi e Re të komunës së Prizrenit
Rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Mitrovicë, ku një femër ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj. Si pasojë e lëndimeve të marra, viktimës iu është ofruar tretman mjekësor. Në lidhje me këtë rast është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuari të lirohet./GazetaSinjali/