Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar pesë raste të dhunës ndaj grave, shkruan Gazeta Sinjali.
Një grua në Fushë Kosovë gjatë ditës së enjte ka raportuar në polici se para dy jave është ndarë nga bashkëshorti i saj pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe për shkak të problemeve të vazhdueshme mes vete, por nga frika nuk e kishte raportuar rastin më herët.
Rast i dhunës në familje ka ndodhur edhe dje në Prishtinë, ku një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë ndaj saj dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar.
Rastet kur të dyshuarit po lirohen pas ushtrimit të dhunës ka ndodhur edhe dje në Obiliq, ku i dyshuari është liruar pas raportimit në polici nga gruaja e tij se është sulmuar fizikisht nga ai.
Një person në Klinë ka përfunduar në prangat e policisë pasi që kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një burrë në Gjakovë është arrestuar dje pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij, e cila për shkak të lëndimeve që ka marrë ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. /GazetaSinjali/