BioNTech, kompania e bioteknologjisë e themeluar nga Türeci dhe Şahin në Gjermani, e bërë e njohur për zbulimin e vaksinës anti-COVID në bashkëpunim me Pfizer, njoftoi qëllimet dhe objektivat e saj të reja për publikun.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Uğur Şahin, ka treguar se ata po përgatiten të zhvillojnë një vaksinë kundër malarias, e cila prek miliona njerëz në të gjithë botën çdo vit.
Şahin deklaroi se provat e vaksinës do të fillojnë në fund të vitit 2022.
“Përgjigja jonë ndaj pandemisë ka demonstruar se si shkenca dhe inovacioni mund të transformojnë jetën e njerëzve kur ata punojnë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët”, tha drejtori i kompanisë.
Gjithashtu ai tregoi se janë duke punuar për të sjellë risi për ata që kanë nevojë më shumë për vaksinën e atij lloji.
“Së bashku me partnerët tanë, ne duam të zhvillojmë një vaksinë të sigurt dhe efektive të bazuar në mARN për malarjan për të parandaluar sëmundjen dhe për të zvogëluar vdekshmërinë”, u shpreh ai.
Qëllimi i kompanisë është të krijojë një zgjidhje të përhershme për kontinentin afrikan dhe rajone të tjera të cilat janë të prekura nga kjo sëmundje.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të paktën 409 mijë njerëz në 2019 kanë vdekur nga kjo sëmundje ndërsa numri i të infektuar është 229 milionë dhe prek më shumë kontinentin afrikan.
Fëmijët nën moshën 5 vjeç dallohen si grupi më i prekur në Afrikë./Gazeta Sinjali/