Përveç konkursit të hapur për pranimin e mjekëve dhe infermierëve-teknikë, e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk po ndalet së sjelli edhe gjëra ushqimore për komunitetin serb në komunat e banuara nga ata në vendin tonë
Drejtuesi i kësaj zyre, Marko Gjuriq, deklarohet se është duke ndihmuar familjet në komunat e banuara kryesisht me serbë, duke u dërguar atyre ilaçe dhe ushqim të nevojshëm i cili u shpërndahet qytetarëve.
Madje ai thotë se përveç dezinfektimit nëpër qendra kolektive, së fundmi janë ndarë ilaçe dhe miell për 100 persona në komunën e Kamenicës, qytetarë këta të cilët Gjuriq i quan familje të privuara nga shoqëria.
“Qendrat kolektive janë dezinfektuar në komunën e Strbpcës, dhe mielli për familjet e privuara nga shoqëria dhe ilaçet për 100 persona u shpërndanë në Kamenicë. Personeli komunal i urgjencës dezinfekton rregullisht hapësirat publike dhe objektet”, ka përfunduar Gjuriq, raporton Kossev.
Kujtojmë se po e njëjta zyre ka hapur konkurs për pranimin e punëtorëve shëndetësorë, konkretisht mjekë, infermierë-teknikë, që do të dërgohen në disa QKMF të Kosovës, të cilët do të shërbejnë për një kohë të pacaktuar në vendin tonë.
Ndonëse Qeveria Kurti deri më tani nuk ka marrë asnjë veprim lidhur me këtë çështje, në këtë konkurs thuhet se sipas urdhrave të Ministrisë të Shëndetësisë së Serbisë, Qendra Shëndetësore në Mitrovicë do të ketë 45 mjekë dhe 120 infermier-teknikë.
Në Gjilan do të jenë 15 mjekë dhe 40 infermierë, ndërsa në Qendrën Spitalore Klinike të Prishtinës me seli në Graçanicë, do të dërgohen 15 mjekë dhe 40 teknikë-infermierë të cilët do të përgatiten në baza urgjente, punonjës të nevojshëm shëndetësorë për një periudhë të pacaktuar kohore.