Gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person të dyshuar lidhur me laboratorin e drogës që u zbulua në muajin shkurt, në Shirokë të Suharekës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar se i arrestuari i radhës lidhur me laboratorin e drogës është Fet’hi Uygur, i cili është shtetas i Turqisë, e ku pas arrestimit të sotëm edhe është dërguar në mbajtje.
Prokuroria Themelore në Prizren kishte njoftuar se hetimet për operacionin anti-drogë në Shirokë të Suharekës, kanë nisur më 4 shkurt.
Ky operacion rezultoi me gjashtë persona të arrestuar dhe konfiskimin e drogës në vlerë prej 1 milion e gjysmë euro.
Kurse, të arrestuarit dyshohen se kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata