Personat me aftësi të kufizuara po vazhdojnë të kenë telashe gjatë lëvizjes nëpër rrugët e kryeqytetit, sipas Handikos, transmeton Gazeta Sinjali.
Handikos ka ngritur një problem dhe ka treguar se janë inspektuar disa zona në Prishtinë të cilat nuk janë në standardet e duhura e të cilat nuk mund të shfrytëzohen nga personat me aftësi të kufizuara, thuhet në një komunikatë për media.
“HANDIKOS gjatë inspektimit të disa zonave të kryeqytetit ka hasur në numër të madh të pjerrinave të cilat edhe pse të ndërtuara, nuk qëndrojnë sipas standardeve dhe Udhëzimit Administrativ 33/2007, apo edhe në të tilla të cilat kanë nevojë urgjente për renovim. Një pjerrinë e cila gjendet në lagjen ‘’Dardania’’, e ndërtuar prej më shumë se 15 vitesh asnjëherë nuk është shfrytëzuar siç duhet për kalim nga personat me aftësi të kufizuara, për shkak se nuk qëndron konform standardeve dhe nuk është në nivelizim me trotuarin siç edhe parashihet. Përveç papërshtatshmërisë së saj, pjerrina me kalimin e kohës është dëmtuar, gjë që edhe më tepër pamundëson kalimin e lirë dhe pa pengesa të përdoruesve të karrocës, dhe jo vetëm”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu HANDIKOS konsideron se edhe tri pjerrinat e ndërtuara në sheshin e Prishtinës nuk janë në vendin e duhur.
Në ditët në vijim, HANDIKOS, paralajmëron se do të sjellë edhe raste të tjera të cilat pasqyrojnë pengesat dhe mos ofrimin e qasjes së plotë infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë. /Gazeta Sinjali/