Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë para se të jepte dorëheqje, kishte nxjerrë një dekret për lirimin e pesë personave të burgosur në vend, raporton Gazeta Sinjali.
Personat e dënuar dhe që pastaj iu falën dënimet janë: Ilir Morina, Veton Gjoshi, Bekim Sylaj, Shpresim Uka dhe Safet Haliti.
Njëri prej personave të lartcekur, Bekim Syla ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, i cili po kërkohej për vrasjen e Ibush Kllokoqit.
Tutje, Syla ishte në arrati dhe është i dënuar me 12 vjet burgim në rastin Bllaca.
Kurse, personi tjetër po ashtu i falur nga Thaçi, Shpresim Uka ishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe tentim-vrasje të rëndë po në të njëjtin rast të njohur si “Bllaca” dhe është dënuar me 15 vjet burgim në vitin 2012.
Emri i tij gjendet edhe në faqen e Interpolit, të personave në kërkim, për të vuajtur dënimin.
Shpresim Uka është përmendur fillimisht në një video-incizim të Nazim Bllacës, i cili në nëntor të vitit 2009, deklaroi publikisht se ka marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime dhe veprime kriminale në rreth 17 raste pas luftës në Kosovë.
Gjithashtu, Veton Gjoshi ishte i përfshirë një konflikt që la tre persona në Gjakovë para katër viteve, pasi ai së bashku me Qëndrim Shalën nga Cermiani, morën hak për babanë, respektivisht vëllain, kur qëlluan për vdekje tre viktimat Valon e Ali Islamaj dhe Zef Krasnqin,në një pasdite të vitit 2016 në Çarshinë e Gjakovës.
Pra, këtë të mërkure, Hashim Thaçi para se të shkonte në Hagë, vendosi që Bekim Sylës t’i falën 3 vite e gjashtë muaj burgim, Shpresim Ukës katër vite, kurse Veton Gjoshit iu falën dy vite.