image Përplasjet Kosovë – Serbi në OKB, temat e nxehta që u diskutuan

Politikë

Përplasjet Kosovë – Serbi në OKB, temat e nxehta që u diskutuan

news image

Dje gjatë mbledhjes që u mbajt në Këshillin  e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz dhe homologu i saj serb, Nikolla Selakoviq, drejtuan akuza kundrejt njëri-tjetrit lidhur me luftën e fundit në Kosovë.

Gërvalla ka deklaruar se shteti i Kosovës nuk ka dalë nga “lëvizjet separatiste, por nga gjenocidi”, ndërkaq Selakoviq, akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime kundër serbëve, përfshirë edhe për trafikim organesh.

Gërvalla u shpreh se është krenare me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe me popullin që mbrojtën njerëzit e tyre dhe shtëpitë e tyre. Ajo akuzoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se ka shërbyer si ministër i ‘Kasapit të Ballkanit’, Sllobodan Millosheviq.

Selakoviq iu kundërpërgjigj duke thënë se “kasapët e vërtetët të Ballkanit” gjenden në Hagë të dyshuar për krime lufte, duke përmendur ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli, të cilët gjenden në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, të dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gërvalla përmendi edhe atentatin e planifikuar nga shërbimet e inteligjencës ndaj autorit të raportit për krimet e pretenduara të luftës dhe senatorit, Dick Marty, për çka Selakoviq reagoi duke thënë se janë raportime ‘të paverifikuara’.

Kryediplomatja kosovare tha po ashtu se Serbia dhe Rusia janë kërcënimet më të mëdha të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gërvalla deklaroi se Kosova është pjesë e Perëndimit, “ndërkaq Serbia vazhdon të jetë satelit i Rusisë”, duke shtuar se sipas saj, kjo është arsyeja pse rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Ajo tha se me armatosjen e vazhdueshme të Serbisë, të gjitha vendet e rajonit janë të kërcënuara nga Serbia, pasi tha se ky shtet ka një “ushtri që është e gatshme të sulmojë”.

Gërvalla po ashtu foli edhe për sulmet e fundit ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Serbinë, duke i cilësuar si “terroriste” dhe duke fajësuar Beogradin se po lejon që ato të ndodhin.

“Sulmet po vijnë nga territori i Serbisë dhe ato do të ishin të pamundura nëse [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq nuk do t’i toleronte ato”, tha Gërvalla.

Kosova, sipas kryediplomates Gërvalla, është e gatshme për dialog me Serbinë, si mënyrë për të ecur përpara, por ajo tha se Serbia fillimisht duhet të “pranojë realitetin” se Kosova është shtet i pavarur, duke përsëritur kërkesën e Kosovës se ky proces, që ndërmjetësohet nga BE-ja, duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, përmendi moslejimin e mbajtjes së referendumit kushtetues serb dhe zgjedhjeve presidenciale e parlamentare nga Qeveria e Kosovës, duke thënë se kjo është qasje diskriminuese ndaj serbëve në Kosoë.

 “Kjo ishte hera e parë që prej vitit 1999 që qytetarëve serbë iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje. Institucionet në Kosovë edhe njëherë demonstruan qasjen e tyre diskriminuese”, tha ai.

Selakoviq kujtoi protestat e serbëve në shtator të vitit të kaluar, për shkak të masës së reciprocitetit për targat nga Serbia, duke thënë se ky vendim kishte për qëllim “frikësimin e serbëve”.

Selakoviq tha se serbët në Kosovë po përballen me kërcënime dhe qasje diskriminuese nga institucionet e Kosovës.

“Serbët po kërcënohen, po inkurajohen të largohen nga shtëpia e tyre dhe të zhvendosin po dekurajohen të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha ai.

Por, Gërvalla tha se Kosova ka një prej kushtetutave më moderne që garantojnë të drejtat e komuniteteve joshumicë.

Ndërsa lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Selakoviq kërkoi që Kosova të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura, veçmas atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“(Qeveria e Kosovës) thotë se themelimi i Asociacionit nuk do të lejohet. Kjo vetëm që nuk minon dialogun, por direkt poshtëron faktorin ndërkombëtar, së pari BE-në”, tha Selakoviq.

Gjatë mbledhjes, disa nga zhvillimet kryesore i përmendi edhe përfaqësuesja e posaçme e OKB-së në Kosovë, njëherësh udhëheqësja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Ziadeh deklaroi se sulmet e fundit të raportuara ndaj Policisë së Kosovës, janë sulme kriminale dhe duhet të dënohen nga të gjitha palët dhe kushdo që ka informacione për keqbërësit duhet t’iu drejtohet institucioneve, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Ajo po ashtu foli për vendimin e Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe, duke thënë se i “vjen keq” për një vendim të tillë.

UNMIK, sipas saj, do të vazhdojë të mbështesë institucionet e Kosovës dhe shoqërinë civile.

Ndërkaq, Kosova, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria bënë thirrje që të përfundojë mandati i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, pasi vlerësuan se mandati i saj në Kosovë më “nuk është i nevojshëm”.

Donika Gërvalla tha se Kosova ka institucionet e saj, andaj, UNMIK nuk mund të jetë një mision administrativ.

“UNMIK më nuk po luan rol në jetën e qytetarëve dhe shtetit tonë”, tha Gërvalla.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, tha se UNMIK ka përmbushur mandatin dhe kërkoi që raportimet e tij para OKB-së të bëhen vjetore.

“Ne sërish bëjmë thirrje që këshilli t’i jep fund mandatit të UNMIK-ut”, tha përfaqësuesi i OKB-së dhe theksoi se në Kosovë “një mision paqeruajtës më nuk është i nevojshëm”.

Përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Ferit Hoxha, tha se roli i UNMIK-ut është minimizuar dhe ka përfunduar qëkur Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008, pasi gradualisht kompetencat e këtij misioni i janë bartur Kosovës.

Ai tha se duhet të ngrihet pyetja pse duhet të ketë prezencë të UNMIK-ut në Kosovë.

“Ky mision nuk ka asnjë rol në proceset kyçe të Kosovës”, tha ai, duke përmendur se dialogu me Serbinë ndërmjetësohet nga BE-ja, siguria në Kosovë është nën mandatin e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it dhe sistemi gjyqësor i Kosovës po forcohet.

Ndërkohë, përfaqësuesit e SHBA-së, Francës, Britanisë dhe shteteve të tjera të KS të OKB-së u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përfaqësuesi i SHBA-së tha se dialogu në Bruksel vazhdon të mbetet platforma më e mirë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, ndërkaq Franca tha se është e nevojshme që palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të raporteve që do të ishte ligjërisht e obligueshme.

Nga Britania ftuan Kosovën dhe Serbinë që të përbahen nga veprimet dhe retorika që mund të nxisë përshkallëzim të tensioneve, duke kujtuar tensionimin e situatës në veri të Kosovës në shtator të vitit 2021, kur serbët lokalë bllokuan rrugët për në pikëkalimet kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, për shkak të vendosjes së reciprocitetit për targat e makinave nga Serbia.

Ndërsa shtetet të cilat nuk njohin pavarësinë e Kosovës dhe që konsiderohen aleate të Serbisë, Kina dhe Rusia, deklaruan se nuk kanë ndryshuar qëndrimin ndaj shtetit të Kosovës.

/GazetaSinjali/