Lidhur me deklaratat e Kurtit e Gërvallës rreth iniciativës franko-gjermane, ka pasur një përplasje mes Baton Haxhiut e Sadri Ramabajës.
Haxhiu tha se është i lumtur që po dëshmohet se dokumenti që e kishte publikuar mediumi i tij për dialogun, po dëshmohet të jetë i vërtetë, ndërsa Ramabaja deklaroi se “i ashtuquajturi draft mbetet produkt i ideologëve serbë”.
“Edhe ministrja e Jashtme edhe kryeministri, de facto, i përgënjeshtruan një pjesë të madhe të mediave në Tiranë dhe në Prishtinë, kur prezentojnë ekzistencën e të ashtuquajturit draft gjermano- francez. Siç e ka publikuar Albanian Post dhe siç e pohoi presidenti serb në fjalimin e të ashtuquajturit historik që e pat pardje. Në fjalimin e tij, presidenti serb u përqendrua në këtë të ashtuquajturin draft, i cili, sipas mendimit tim, mbetet produkt i ideologëve serbë që kanë pretendime ta shesin si të mirëqenë dhe madje me paturpësi tia draftojnë diplomatëve gjermano-francezë me idenë që opinioni shqiptar dhe diplomacia shqiptare të bien në grackë siç ka rënë Batoni”, tha Ramabaja.
Mes të tjerash, Ramabaja tha se Kurti e Gërvalla “nuk thanë që ekzitojnë, por është keqinterpretim i qëllimshëm”, ndërsa Haxhiu tha “le ta gjykoj shikuesi”.
Ramabaja për Baton Haxhiun tha se është “në momentet vendimtare të ekzistimit të tij si figurë publike”.
“Unë e kuptoj insistimin e Batonit, sepse Batoni është në momentet vendimtare të ekzistimit të tij si figurë publike, sepse deri tash ka vepruar i mbështetur nga ish kryeministri dhe presidenti i Kosovës, tash ka mbështetje të fuqishme të Edi Ramës. Por opinionit publik dhe një pjesë e mirë e botës akademike shqiptare, e ka shumë të qartë që këto drafte janë të kuzhinës serbe”, tha Sadri Ramabaja.
Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar vetë Baton Haxhiu.
“A e din pse e bëri akuzën?! Se dje zoti Ramabaja, pak a shumë e ka dhënë deklaratën se qeveria e Kosovës nuk ka dijëni për draftin dhe ai draft nuk ekziston. Dhe dikush që është serioz pak, dmth që merret me përmbajtjen dhe jo njeriun, pas 24 orëve kryeministri dhe ministrja e jashtme i thojnë që ky draft ekziston, atëherë është problem me qenë në studio dhe me pas dinjitetit profesional dhe akademik dhe për të qenë i demantuar duke mos qenë i informuar dhe duke mos lexuar draftin, dhe aq më keq kur je i afërm me dikë dhe nuk ke informacione dhe vjen në studio e ndërton një konspiracion të padinjitetshëm dhe unë nuk komentoj gjëra të padinjitetshme. Unë këtu kam ardhë të bisedoj për cka kemi folur dy javë më herët”, tha Haxhiu.
Ai shtoi se “prapë do të ballafaqohet më të njëjtit njerëz që rrugës e huqin shijen e diskutimit dhe dijen për cka kanë ardhë”.
“Për njerëzit qëllimkeq kam fjalor tjetër, e për njerëzit që kanë mungesë të dijes, normalisht, i fali sepse nuk ka kuptim të polemizoj me ta”, tha Haxhiu në Pressing.