Çështja e ndërtimeve në zonën e liqenit të Badovcit kanë qenë përplasja e radhës mes kandidatëve për kryetarë të Prishtinës, Përparim Rama nga LDK-ja dhe Arben Vitia nga VV-ja.
Rama në emisionin DebatPernime tha se nuk do të lejojë ndërtime në Badovc. Mirëpo, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Vitisë i cili tha se projekti i Ramës si arkitekt muaj më parë për ndërtimet në atë zonë ishin pezulluar.
Ndërsa, Rama tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se projekti ka qenë legal.
“Është totalisht jo e vërtetë z. Vitia, projekti ka qenë totalisht legal dhe kam punuar pikërisht kur ju keni qenë si pjesë e Qeverisë aty kemi filluar procesin. Të gjitha aspektet legale janë marrë parasysh edhe për herë të parë në Prishtinë ne kemi sjellë një sistem i cili ka pasur impiant, e ka mbrojtur natyrën dhe ka mundësuar që impianti të përdoret për të krijuar rrymë dhe të mbrojë natyrën në të njëjtën kohë”, tha Rama. /GazetaSinjali/