Në Serbi po mbahen zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd. Kjo është hera e parë që zgjedhjet serbe nuk mbahen edhe në territorin e Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti nuk pranoi vetëm letërshkëmbim me shtetin serb. Deri tani, dita e zgjedhjeve është karakterizuar me deklaratat e politikanëve shqiptarë dhe disa sulme që kanë ndodhur, shkruan Gazeta Sinjali.
Serbët e Kosovës të interesuar për zgjedhjet në Serbi
Qysh në orët e para të mëngjesit, numër i madh i qytetarëve serbë të Kosovës, kanë marrë rrugën për në Serbi që të votojnë, pasi një gjë e tillë iu mohua nga autoritetet kosovare. Si pasojë e lëvizjeve të mëdha, janë krijuar edhe pritje të gjata në dy pikëkalimet kufitare – Jarinje dhe Bërnjak.
Sipas raportimeve, nga Kosova në Serbi sot kaluan rreth 30 autobusë të mbushur me serbë. Pas këtij fluksit të madh të serbëve që udhëtuan për në Serbi, Policia e Kosovës doli me deklaratë, duke e cilësuar situatën si të “qetë dhe stabile”.
Lufta e shqiptarëve të Luginës për pushtet
E faktor i rëndësishëm janë shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të cilët kanë garuar me dy lista me synimin që të sigurojnë tre deri në katër karrige të deputetit.
Sipas mediumit serb “Danas”, 19.442 qytetarë nga katër komunat kosovarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e Serbisë. Ndërsa sipas Euraktiv, më shumë se 6 mijë kosovarë janë hequr nga listat e votuesve vetëm për shkak të etnitetit.
Kutive të votimit iu drejtuan edhe deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, kandidati për deputet, Shqiprim Arifi dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.
Pasi votoi, Kamberi foli për media duke thënë se nuk ka ndonjë kandidat për president që i mbështet shqiptarët, shkruan Sinjali.
“Mjerisht jo. Asnjë nga kandidatët për president nuk ka pasur ndonjë ofertë për pakicat, sidomos jo për shqiptarët…Ne jemi orientuar të votojmë vetëm për zgjedhjet parlamentare, ku edhe i kemi kandidatët tonë dhe jo për ato presidenciale”, ka thënë Kamberi.
Ndërsa një shqiptar tjetër që po synon të zë një karrige të deputetit, Shqiprim Arifi tha se qeveritë kosovare nuk i kanë kushtuar rëndësi shqiptarëve të Luginës.
“Bazuar në numrat e kaluar, 6 deri në 10 mijë qytetarë sot nuk kanë mundësi të votojnë. Ne po i shohim mobilizimin e serbëve nga Kosova që t’i sjellin për të votuar në Bujanoc. Por, ne e shohim edhe një neglizhencë të Qeverive kosovare të cilët po na lënë në mëshirën dhe mundësitë tona”, ka thënë Arifi.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, pasi votoi tha se ka votuar për deputetët që janë në koalicion të përhershëm me shqiptarët.
“Për deputet e deputete cilësorë dhe të rreshtuar drejt. Që janë përherë në koalicion me shqiptarët. Me interesin e përgjithshëm”, ka shkruar Sinani.
Sulmet
Deri tani është raportuar për dy incidente – Njëri në Novi Pazar, ku dyshohet se komisionerët janë rrahur mes vete, ndërsa tjetri në Zemun. Atje njerëzit e partisë së presidentit Vuçiq kanë sulmuar kundërshtarin politik të tij, Pavle Grboviq.
Ndërsa në Twitter po qarkullon një video dhe po raportohet për blerje të votave në Beograd. Sipas ligjeve në fuqi në Serbi, shitblerja e votës dënohet me burg.
Sondazhet:
Sondazhet parazgjedhore, megjithë optimizmin nga opozita e ndarë serbe, sugjerojnë se presidenti aktual Aleksandar Vuçiq mund të fitojë rundin e parë me rreth 60 për qind të votave dhe se koalicioni qeverisës, i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe e Vuçiqit parashikon ta marrë shumicën në parlamentin serb, raporton N1.