image Përmbledhje e ditës së parë të luftimeve në Ukrainë - Si u kthye qetësia në frikë?

Botë

Përmbledhje e ditës së parë të luftimeve në Ukrainë – Si u kthye qetësia në frikë?

news image

Sulmi i forcave ruse ndaj Ukrainës nisi qysh para agimit. Ndodhi ajo që u parapa para disa javësh, pasi presidenti rus nuk deklarohej për ndonjë ndryshim të qëndrimit, shkruan Sinjali.

Nuk u deshtë shumë kohë dhe brenda pak minutash qyteti i dytë më i madh, Kharkiv u mbulua nga tymi i raketave e predhave ruse që ishin lëshuar në tokë.

Së shpejti kolonat e blinduara kaluan në vend nga Krimea në jug dhe Bjellorusia në veri. Duke ecur me shpejtësi, ndoshta me synimin për ta ndarë vendin në dysh.

Në një aeroport jo më shumë se 20 milje (32 km) nga qendra e Kievit, parashutistët mbërritën ndërsa ishte ende errësirë, duke krijuar shpejt një bazë që mund të përdorej për të nisur sulmet në kryeqytet.

Në Kiev, i cili ka qenë kaq i qetë gjatë javëve të fundit të kësaj krize në rritje, pati tronditje, frikë dhe panik.

Njerëzit u strehuan nën tokë, krijuan radhë të gjata në supermarkete dhe banka dhe në shumë raste hipnin në makinat e tyre dhe u përpoqën të largoheshin, duke shkaktuar bllokim. Në stacionin e autobusëve të Kievit, të rinjtë kërkuan çdo mënyrë për t’u larguar.

Ndërsa, kryeqyteti ka mbetur i paprekur, mediat ndërkombëtare po raportojnë se një gjë e tillë do të ndodh brenda orësh.

Pavarësisht se nuk mori përkrahje nga shtetet evropiane e ShBA, Putin nuk po ndalet. Madje disa shtete vendosën edhe sanksione ekonomike ndaj shtetit rus.

Përkrahje, Putini nuk gjeti as nga qytetarët e tij, të cilët dolën në rrugë dhe protestuan kundër luftës në Ukrainë. Deri tani janë arrestuar afër 2 mijë protestues, sipas raportimeve të mediave ruse.

Ndërsa pak më parë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka shpallur mobilizim të përgjithshëm.

Vendimi erdhi vonë gjatë të enjtes, përderisa më herët ai kishte shpallur edhe gjendjen e luftës. Me këtë gjendje tashmë e gjithë popullata duhet të mobilizohet dhe të jetë në dispozicion për t’i ndihmuar vendit në luftën ndaj Rusisë.

Sipas raportimeve, deri tani janë shpërngulur mbi 100 mijë qytetarë ukrainas, janë vrarë mbi 137 persona dhe janë plagosur 316 të tjerë.

E pak më parë, Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës njoftoi se e kanë ndaluar një brigadë ruse.

“Betejat po zhvillohen në drejtimin verior në rrethet Peremoha dhe Hlukhiv. Kolona armike e Brigadës 58 ruse u ndalua”.

/GazetaSinjali/