Boksieri Florian Marku u nderua sot nga kryeministri Edi Rama me medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes”. Pas Luiza Gegës, Kryeministria hapi dyert për Markun, i cili fitoi titullin WBC me shume vështirësi, pas duelit me meksikanin Miguel Parra në “Air Albania”.
Asgjë nuk është fat në jetë, tha Marku para të pranishmëve, duke shtuar se ka shumë që e paragjykojnë dhe rrëfeu vështirësitë e tij. Boksieri tha se nuk ka qenë e lehtë për të arritur sipas tij këtu ku është sot, me titull kampioni.
“Unë nuk vij nga një familje e pasur. Prindërit e mi kanë punuar punë krahu. Nëna ime ka punuar edhe pastruese. I kam thënë dëgjo moj nënë dhe ti s’ke për të punuar më kurrë sa të jetë djali jot gjallë. Vitet kaluan dhe ajo s’ka nevojë të punojë më” tha ai.
Po ashtu, ai është shprehur se kurrë nuk e ka hedhur poshtë flamurin shqiptar, pavarësisht opsioneve tjera.
“I kam operuar duart 5 herë. Njerëzit mendojnë s është fat. E kam pasur ëndërr. Kur kam qenë në Greqi isha pa letra. E vetmja mundësi që të bëjë një sport të tillë ishte kik boks. Në Angli kam vajtur komplet rastësisht. Më mashtruan, nuk kisha as shtëpi, as makinë, asgjë. Iu thashë dua një promotor dhe kam për t’jua mbushur stadiumin plot. Dhe kështu ndodhi. Asgjë nuk është fat në jetë, duhet shumë punë.” ka shtuar Marku.
“Normalisht paragjykime kemi të gjithë. Siç më paragjykojnë edhe mua. O meritoj unë o se meritoj askush. Nuk e dini se çfarë kam kaluar në jetën time për të arritur këtu. Rinisë i them kurrë mos u dorëzoni, si sot, ja ku jam unë”, u shpreh ai.