Javëve të fundit janë raportuar shumë raste të përleshjeve brutale mes nxënësve qoftë brenda hapësirave të shkollave, por edhe jashtë tyre. Kjo dukuri po alarmon drejtoritë e këtyre institucioneve arsimore, por dhe prindërit. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku disa të mitur janë rrahur mes vete, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se në rast janë përfshirë tre të mitur, të tre 14-vjeçarë, të cilët janë kapur me njëri-tjetrin dhe për pasojë njëri prej tyre ka pësuar kështu lëndime trupore. Ngjarja ka ndodhur pasdite, kur të miturit e dyshuar u përleshën në parkingun e një kompleksi banesor.
Sinjali mëson se posa Policia ka marrë informacionet për rastin, ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa njëri nga personat e përfshirë është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Të miturit më pas janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë rrëfyer para hetuesve policorë për përleshjen në të cilën janë përfshirë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tyre kanë nisur hetimet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.