image Përleshje brutale në Isniq të Deçanit: Haklajt bëhen pikë e pesë, babë e bir përfundojnë në QKUK

Siguri

Përleshje brutale në Isniq të Deçanit: Haklajt bëhen pikë e pesë, babë e bir përfundojnë në QKUK

news image

Telashet mes anëtarëve të një familjeje vazhdojnë të jenë të pranishme në të gjitha qytetet e vendit. Për pasojë vëllezërit e kushërinjtë përfshihen në ngatërresa në mes vete të cilat eskalojnë në sharje, kërcënime, përleshje fizike e shpesh herë kanë përfunduar edhe tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ndodhi edhe gjatë ditës së djeshme në fshatin Isniq të Deçanit, ku anëtarët e familjes Haklaj për motive ende të panjohura, janë përfshirë në një rrahje brutale mes vete.

Sinjali mëson se një 36-vjeçar dyshohet se ka rrahur keq kushëririn e tij 70-vjeçar, të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore duke ia thyer nofullën me anë të goditjeve. Ndërkohë një tjetër i moshuar dyshohet se ka sulmuar djalin e 70-vjeçarit, i cili po ashtu ka përfunduar në spital si pasojë e lëndimeve trupore.

Babë e bir kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, por për shkak të natyrës së lëndimeve, i moshuari është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërkohë njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë dy personat e dyshuar, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

/GazetaSinjali/