Edhe pse Qeveria e Kosovës mori vendim që të ndërpritet mësimi deri më 27 mars në mbarë territorin e Kosovës për të parandaluar përhapjen e virusit COVID 19, serbët e veriut nuk po e respektojnë atë.
Të gjitha shkollat në katër komunat veriore, si dhe universitetet kanë funksionuar sot normalisht, ndërsa nxënësit kanë vijuar mësimin që nga ora 07:00 e mëngjesit.
Ekipi i KP, që ka qëndruar të enjten nga orët e hershme të mëngjesit në atë pjesë, është penguar vazhdimisht në kryerjen e punës, ndërsa askush nga udhëheqësit e institucioneve arsimore nuk ka dashur të flasë për këtë temë.
“Ik në Prishtinë merr pamje, se ta thyejmë kokën me gjithë atë kamerë, ne dëgjojmë presidentin Vuçiq çfarë na thotë, dëgjojeni edhe ju, Mbylle kamerën nëse do të mbetesh gjallë”, ishin vetëm disa nga fjalët kërcënuese të drejtuara ndaj ekipit të KP, nga persona të sigurimit dhe të punëtorëve të shkollave të ndryshme në veri.
KP ka provuar të kontaktojë disa herë edhe me drejtoreshën e Arsimit paralel në veri, Jasmina Dediq, që është edhe deputete në Kuvendin e Kosovës, por deri në mesditë ajo nuk ka qenë në zyrën e saj./Gazeta Sinjali/