image Përkujtohen 24 viktimat e avionit të rrëzuar 21 vjet më parë afër Sllakovcit të Mitrovicës

Kosovë

Përkujtohen 24 viktimat e avionit të rrëzuar 21 vjet më parë afër Sllakovcit të Mitrovicës

news image

Ambasada e Italisë në Prishtinë, kontingjenti italian i KFOR-it dhe Policia italiane e Shtetit kanë përkujtuar sot viktimat e avionit të rrëzuar më 12 nëntor 1999 afër fshatit Sllakovc, 11 kilometra nga Mitrovica.

Në vendin e aksidentit, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare përkujtuan 24 viktimat e ngjarjes tragjike, shumica e të cilëve ishin zyrtarë të OKB-së, zyrtarë policorë dhe operatorë humanitarë që kryenin dërgesë emergjente për të ndihmuar popullatën pas përfundimit të luftës së Kosovës.

Me këtë rast, ambasadori i Italisë në Prishtinë, Nicola Orlando, tha se vendi i tij nuk do t’i harrojë asnjëherë viktimat e këtij rasti tragjik, pa marrë parasysh kombësinë e tyre.

“Jemi mbledhur sot këtu për të përkujtuar 24 viktimat e tragjedisë së Fluturimit 3275. Ndërsa gjysma e tyre janë italianë, të rënët vinin nga vende të largëta dhe të ndryshme si Mbretëria e Bashkuar, Kenia, Irlanda, Spanja, Bangladeshi, Australia, Iraku, Gjermania dhe Kanadaja. Me qëllime dhe prejardhje të ndryshme, të gjithë ata ishin të bashkuar në misionin për të ndihmuar popullin e Kosovës që të rimëkëmben nga tmerret e luftës. Nuk është kombësia e tyre që vlen sot, por vendosmëria e tyre për të ndihmuar njerëzit në nevojë pas atij konflikti katastrofik, për të cilin ata paguan çmimin më të lartë në emër të vlerave të tyre. Janë të njëjtat vlera që këto ditë ne mbështesim duke festuar 75-vjetorin e Kombeve të Bashkuara. Duke i kujtuar ata, ne shprehim mirënjohjen tonë të përjetshme për të gjithë ata që në të gjithë botën vazhdojnë në hapat e tyre, duke ia kushtuar jetën paqes, sigurisë dhe ndihmës ndaj atyre në nevojë. Kjo është ana më e mirë e njerëzimit, që bashkohet në emër të multilateralizmit, për të mbështetur njëri-tjetrin në orën e nevojës,” tha diplomati italian.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Michele Risi tha se edhe pas 21 vjetësh, sakrifica e këtyre të rinjve dhe të rejave nuk është harruar dhe përkushtimi i tyre do të mbetet një shembull për civilët dhe ushtarakët që vendosin t’ia kushtojnë jetën e tyre njerëzve në nevojë.

“U prehshin në paqe dhe vlerat e tyre le të vazhdojnë të na udhëheqin të gjithëve, ndërsa përpiqemi të mbështesim Kosovën dhe rajonin në një rrugë drejt paqes dhe stabilitetit,” tha ai .

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të Ambasadës italiane në Prishtinë, Forcave të Armatosura Italiane, Karabinierëve, Policisë së Shtetit italian në EULEX dhe Kombeve të Bashkuara.

Viktimat e përkujtuara janë:

1. Bazzoni, Roberto – Italia, Caritas Serdenja

2. Biocca, Paola – Itali, WFP

3. Curry, Andrea – Irland, GOAL

4. Davoli, Velmore – Itali, GVC

5. Evens, Nicolas Ian Philip – Mbretëri e Bashkuar, Tearfund

6. Faisal, Abdulla – Kenia, UNV

7. Gavino, Marco – Itali, UNMIK

8. Lay, Kevin – Mbretëri e Bashkuar, Tearfund

9. Liuzzi, Raffaella – Itali, Boyden

10. Martinez-Vasquez, Miguel – Spanjë, UNMIK

11. Martinez, Jose Maria – Spanjë, UNMIK

12. Mirshahidul, Alam – Bangladesh, UNMIK

13. Perez Fortes, J. – Spanjë, UNMIK

14. Powell, Richard Walker – Australi, WFP

15. Rowan, Daniel – Kanada, Qeveria Kanadeze

16. Samer, Thabit – Irak, WFP

17. Sarro, Paola – Itali, Terre des hommes

18. Scotti, Laura – Itali, AiBi

19. Sircana, Antonio – Itali, Caritas Sardegna

20. Zecchi, Carlo – Itali, GVC

21. Ziegler, Julia – Gjermaiy, Grupi Ndërkombëtar i Krizave

22. Maccaferro, Andrea – Itali, Air Operator Balmoral

23. Canzolino, Antonio – Italy, Air Operator Balmoral

24. Piazza, Katia – Itali, Air Operator Balmoral

/Gazeta Sinjali/