image Përjashtimi i avokatit nga gjykimi pa të drejtë ankese, i papranueshëm për OAK-un

Drejtësi

Përjashtimi i avokatit nga gjykimi pa të drejtë ankese, i papranueshëm për OAK-un

news image

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, ka thënë se përjashtimi i avokatit Besnik Berisha nga gjykimi i Shaban Gogajt, pa të drejtë ankese është i papranueshëm. OAK ka vendosur që mos të caktojë asnjë avokat tjetër në këtë rast dhe se kushdo që nuk respekton vendimet e këtij institucioni, bën shkelje disiplinore, shkruan Gazeta Sinjali.

Këtë deklaratë Ejupi e dha sot, në një konferencë për media lidhur me rastin e përjashtimit të avokatit Berisha, nga përfaqësimi i të akuzuarit Shaban Gogaj, që po gjykohet në Gjykatën Themelore në Pejë.

Në këtë konferencë, Ejupi tha se ky është rasti i parë që përjashtohet një avokat dhe në të njëjtën kohë ka kaluar në lexim të parë Kodi i Procedurës Penale që nuk është në fuqi, por që kanë kërkuar që kjo dispozitë ligjore të ndryshohet dhe të mos penalizohen avokatët në ushtrimin e profesionit.

“Në të gjitha dispozitat ligjore që ne deri më tani i potencuam në çdo dispozitë parashihet që të merret pëlqimi dhe vullneti i të pandehurit. Përderisa nuk kemi një revokim të autorizimit, unë besoj dhe shpresoj që askush në kundërshtim me interesat e qytetarëve, me theks të veçantë të pandehurit nuk do t’ia imponojë një avokat”, ka thënë ai.

Kryetari i OAK-ut shtoi se përderisa nuk ka shkelje disiplinore nga ana e avokatit, sipas tij, nuk mund t’ua lejojnë gjykatave që të vështirësojnë punën e avokatëve.

“Përderisa ne kemi një zyrë të prokurorit disiplinor dhe nuk ka pas të drejtë ankese ndaj vendimit për përjashtim, prokurori disiplinor ka ardhë në përfundim se nuk ka shkelje disiplinore nga ana e avokatit. Ne nuk kemi asnjë arsye të vetme që t’i caktojmë dhe t’iu lejojmë gjykatave që të bëjnë praktikë në vështirësinë e ushtrimit të profesionit të avokatisë”, ka thënë ai.

Ejupi ka shtuar se nuk mund t’ua imponojnë asnjë qytetari një avokat, prandaj ata duhet të lihen të lirë të zgjedhin.

“Ne jemi në mbrojtje edhe të qytetarit që të mos iu imponohen avokatët, por të lihen të lirë në zgjedhjen e OAK për shkak se Oda ka 1 mijë e 137 avokatë që mund t’i përgjigjen çdo kërkese të mundshme në nivel republike nga cilido organ që e vlerëson se duhet të ftohet ndonjë anëtar i OAK”, ka thënë ai.

Sa i përket asaj se çfarë do të ndodhë nëse gjykata cakton një mbrojtës të ri për të akuzuarin Gogaj, Ejupi ishte i prerë, se kushdo që nuk zbaton vendimin e OAK, bën shkelje disiplinore.

“Moszbatimi i vendimeve të KD konsiderohet si shkelje e rëndë, duhet ta keni në dijeni se OAK ka zyrën e prokurorit disiplinor, ka komisionin disiplinor, komisionin e ankesave që do të thotë merren me shqyrtimin e çdo kërkese eventuale që mund të bëjnë shkelje disiplinore avokatët”, tha ai.

Ejupi po ashtu ka njoftuar se edhe Avokati i Popullit është në dijeni lidhur me këtë çështje dhe thotë se ky rast ka të bëjë edhe me respektim të të drejtave të njeriut dhe që mos pengohet avokati në ushtrimin e profesionit.

“Unë si kryetar i OAK-së jam ai i cili i kontribuoj çdo të mirë të anëtarësisë dhe vendimet e Këshillit Drejtues janë tani për tani në fuqi. Besoj dhe shpresoj shumë se nuk kemi të bëjmë me dorëzim, por kemi të bëjmë me një respektim të lirive të drejtave të njeriut dhe asaj që të mos pengohet avokati në ushtrimin e profesionit”, ka thënë ai.

Kryetari i OAK ka thënë se praktika e përjashtimit të një avokati mund të penalizojë çdo avokat dhe çështja e gjyqtarit do të jetë ekskluzive vetëm për një X arsye të thjeshtë ta përjashtojë dhe t’i caktohet një avokat tjetër.

Prandaj sipas tij, të akuzuarit Shaban Gogajt po i mohohet e drejta për zgjedhjen e avokatit.

“Gjithçka ka filluar atëherë kur gjyqtarja e rastit PKR.nr.43/2019 me datë 28.06.2021 në të njëjtën seancë ka sjellë dy vendime. Vendimi për shqiptimin e gjobës ndaj avokatit Besnik Berisha dhe vendimi për përjashtimin e avokatit Besnik Berisha nga mbrojtja e të pandehurit. Natyrisht, për Odën e Avokatëve të Kosovës, shqiptimi i gjobës ndaj avokatit është çështje e rregullt gjyqësore dhe vendimi mund të kontestohet në procedura ankimore. Problemi lind tek aktvendimi për përjashtimin e avokatit, pasi që në rastin konkret bëhet fjalë që të pandehurit po i pamundësohet e drejta elementare për zgjedhjen e mbrojtësit sipas vullnetit të tij”, ka deklaruar Ejupi.

Ai shtoi se për Odën e Avokatëve është e papranueshme që aktvendimi nuk përmban këshillë juridike për përdorim të mjetit të rregullt ankimor.

“Shqetësimi vjen si pasojë që Kodi i Procedurës Penale që aktualisht është në ndryshim, sa i përket kësaj çështje është i njëjtë, andaj OAK në çdo takim ka kërkuar që kjo dispozitë lidhur me përjashtimin e mbrojtësit të ndryshohet”, ka thënë Ejupi.

“Ne do të përpiqemi që për ju, të japim bazën ligjore, e cila fillon nga Konventa për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, e cila në nenin 6 të saj, parasheh të drejtën për një proces të rregullt, derisa në paragrafin 3 thuhet: Çdo i akuzuar për një vepër penale, ka të drejtat minimale, derisa si minimum në pikën C parashihet që ai të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij dhe vetëm nëse ai (i akuzuari) nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas”, tha ai.

Ejupi deklaroi se shpreson se Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të reflektojë dhe në të njëjtën kohë do t’i ndryshojnë këto vendime në të mirën e të akuzuarit, në mënyrë që mos t’i mohohet e drejta për zgjedhjen e avokatit apo imponohet të mbrohet nga një avokat që ai nuk ka interes.

Kryetari i OAK po ashtu shtoi se presin nga Ministria e Drejtësisë që të ketë parasysh rolin e këtij institucioni në sistemin e drejtësisë. Ai tha se presin përkrahje që brenda afatit ligjor t’i raportojnë për rrjedhën e procedurës në këto momente, ku kanë afat 30 dite pasi dje është pranuar shkresa e ministres.

Kujtojmë se avokati Besnik Berisha fillimisht ishte gjobitur e më pas përjashtuar nga procesi penal ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.

Pasi trupi gjykues ka kërkuar nga i akuzuari Gogaj të angazhonte një avokat tjetër, ky i fundit ka refuzuar. Në këto rrethana, gjykatësja ka kërkuar nga OAK që Gogajt t’i caktohet një avokat tjetër sipas detyrës zyrtare. Megjithatë OAK ka refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se urdhri i gjyqtares është tendencioz dhe cenon lirinë e tyre.

/GazetaSinjali/