image Përgjatë festave të fundvitit gjashtë raste të dhunës të raportuara në Polici

Siguri

Përgjatë festave të fundvitit gjashtë raste të dhunës të raportuara në Polici

news image

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici përgjatë festave të Vitit të Ri, shkruan Gazeta Sinjali.

Në rajonin e Prishtinës janë raportuar katër raste të dhunës, ndërkohë rastet e tjera kanë ndodhur në Shtime dhe Prizren.

Rasti i parë ka ndodhur në Fushë Kosovë në ditën e Vitit të Ri, ku personi i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij është arrestuar. Me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje.

Rasti i dytë ka ndodhur dje në qytetin e Drenasit, ku dyshohet se pas një mosmarrëveshje një person e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Me këtë rast viktima ka pësuar lëndime trupore, ku e njëjta është dërguar për trajtim mjekësor. Ndërkohë, i dyshuari është arrestuar dhe i është sekuestruar një pistoletë.

Rasti tjetër ka ndodhur në kryeqytet, ku një grua ka raportuar në Polici se vazhdimisht bashkëshorti i saj është duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Policia bën të ditur se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima është rikthyer në familjen e saj.

Rastin i katërt ka ndodhur në qytetin e Lipjanit, ku një person ka përfunduar në prangat e policisë, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, njofton Gazeta Sinjali.

Ndërkohë, rasti i dhunës në familje në Shtime sipas policisë është cilësuar edhe “Lëndim trupor”, pasi që një person dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, derisa edhe i ka shkaktuar lëndime. Policia ka bërë të ditur se i njëjti e kishte larguar nga shtëpia viktimën dhe vajzat e saj. I dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, rasti i fundit ka ndodhur në Prizren me datë 30 deri më 1 janar, ku një vajzë ka pranuar tretman mjekësor, pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga babai i saj./GazetaSinjali/