Shefja e kabinetit të kryeministrit Avdullah Hoti, Marigona Berisha, dyshohet se sot është përfshirë në një aksident trafiku me një zyrtare të Inspektoratit Policor të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se aksidenti ka ndodhur sot në orët e mëngjesit, kurse pas aksidentimit, Marigona Berisha dhe zyrtarja e IPK-së, Linda Berisha kanë shkuar në Polici për të dhënë deklaratë.
Pas marrjes së informacionit për këtë aksident, Gazeta Sinjali ka kontaktuar shefen e kabinetit të kryeministrit, Marigona Berishën, për të marrë detaje për aksidentin të cilin e ka shkaktuar, por e njëjta e ka mohuar një gjë të tillë, duke e sajuar ngjarjen gjoja se shoqja e saj (emër i njohur për redaksinë) ka bërë aksident.
“Unë kam qenë me një shoqe, ajo ka bërë aksident, por ishte diçka e vogël dhe isha në ato momente me të. Bashkë në Polici kam qenë më të”, tha Marigona Berisha.
Por deklarimin e saj e përgënjeshtroi zyrtarja e IPK-së, Linda Berisha, e cila konfirmoi për Gazetën Sinjali përfshirjen e Marigona Berishës në këtë aksident.
“Po, ka ndodhur aksidenti. Jemi marrë vesh me të. Nuk ka lëndime askush. Është hapur rasti në Polici. Kemi shku në sigurim. Marigona ka qenë ngasësja, unë kam qenë në veturën tjetër. Ajo ka qenë me veturë personale me targa 03.”, tha Linda Berisha.