image Përfundon vlerësimi i ekspertëve për universitetet dhe kolegjet private

Arsim

Përfundon vlerësimi i ekspertëve për universitetet dhe kolegjet private

news image

Brenda dy javësh, Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim pritet të marrë vendime për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë. Fillimisht do të bëhet akreditimi institucional e më pas do të vazhdohet me atë të programeve studimore.

Për akreditim institucional kanë aplikuar 14 institucione të arsimit të lartë, që iu ka skaduar akreditimi, prej tyre 5 universitete publike dhe 9 kolegje private.

Drejtori i AKA-së, Naim Gashi, ka thënë për Kohën se procesi i vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë që kanë aplikuar tashmë ka përfunduar dhe janë në pritje të raporteve të ekspertëve. Sipas tij, Këshilli do të vendosë për akreditim ose mosakreditim në bazë të vlerësimeve që i kanë bërë ekspertët ndërkombëtarë.

“Mendoj se është proces shumë i rëndësishëm që në kohë pandemie kemi arritur në afat rekord që t’i vlerësojmë të gjitha institucionet e arsimit të lartë, të cilave iu ka skaduar akreditimi gjatë këtij viti dhe do t’i kemi vendimet më datën 25-26 qershor”, ka thënë ai.

Edhe pse procesi i vlerësimit është realizuar në distancë, sipas tij, gjithçka është realizuar në bazë të standardeve që i aplikon Agjencia dhe ENQA, dhe nuk ka pasur ndonjë ankesë nga institucionet e arsimit të lartë./Gazeta Sinjali/