Pa një marrëveshje për koalicion qeverisës, ka përfunduar takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.
Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë dakorduar që takimet t’i vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, shkruan Gazeta Sinjali.
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti tha se me VV-në kanë vendosur një standard të ri të komunikimit të ndërsjelltë, duke i informuar me detaje për marrëveshjen.
“Ju keni parë prej 6 tetorit kemi vendosur një standard të ri të komunikimit të ndërsjelltë mes dy subjekteve po edhe me qytetarët duke i informuar me detale, kemi pas një takim të gjatë po mjaft konstruktiv për të shkëmbyer të gjitha pozicionet tona për marrëveshje. Jemi dakorduar që të vazhdojmë takimet në baza ditore”, ka thënë Hoti.
Glauk Konjufca nga VV-ja ka thënë se edhe pas këtij takimi nuk është arritur ende marrëveshje por u shprehë optimist se në ditët në vijim do të arrihet.
“Pajtohem që ishte një takim shumë i rëndësishëm në përpjekje për të gjetur marrëveshje dhe pikërisht se i kemi shtruar të gjitha opsionet e mundshme dhe janë diskutuar plotë mënyra të zgjidhjes, ndaj që kemi pa avancim, u pajtuam që takimet tona të jenë më të shpeshta, në të ardhmen dhe pikërisht për këtë arsye nesër sërish do të takohemi që të vazhdojmë ku e lamë sonte, me të cilat përfunduam takimin”, ka thënë Konjufca.
Ai ka shtuar se nesër do të ketë takim dhe se marrëveshja shpreson të arrihet para 26 dhjetorit, që është caktuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për konstituim të Kuvendit të Kosovës. /Gazeta Sinjali/