image Përfundon seanca për pandeminë, nuk kalon rezoluta e PDK-së

Politikë

Përfundon seanca për pandeminë, nuk kalon rezoluta e PDK-së

news image

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka prezantuar rezolutën pas debatit parlamentar lidhur me gjendjen e pandemisë COVID-19 në Kosovë, mirëpo ajo nuk ka kaluar pasi që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër.

Deputeti i PDK-së Uran Ismaili, ish-ministër i Shëndetësisë, ka prezantuar të gjitha pikat e rezolutës:

1. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për sigurimin e vaksinave anti-COVID-19 të nevojshme si dhe të mjeteve dhe medikamenteve mjekësore dhe shëndetësore për menaxhimin e situatës pandemike, në afat prej më së largu një muaj nga miratimi i kësaj rezolute.

2. Bazuar në Ligjin Nr. O7/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me IKSHPK-në për të miratuar planin për vaksinim të qytetarëve me vaksinën anti-COVID-19 dhe i njëjti të bëhet publik, të jetë transparentë me qëllim që qytetarët të kenë sa më shumë informata për procesin e imunizimit të qytetarëve.

3. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për zgjerimin e kapaciteteve logjistike për sigurimin e regjistrave demografik dhe krijimin e databazave dhe aplikacioneve në nivel komunal dhe qendror për qëllime të vaksinimit efektiv të qytetarëve.

4. Obligohet Qeveria e Kosovës që të zbatojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me qëllimin të stimulimit të profesionistëve shëndetësor dhe stafin mbështetës.

5. Konfirmon zotimin që Republika e Kosovës përmes legjislacionit të miratuar, do të angazhohet për t’i dalë në ndihmë përmes mbështetjes financiare, grupeve të caktuara shoqërore, shëndeti i të cilëve rrezikohet si rezultat i punës së tyre në shërbim të shtetit dhe shoqërisë që lidhet me menaxhimit e pandemisë së virusit Covid-19.

6. Përfituesve të mbështetjes financiare nga pika 5 e kësaj rezolute, do të ofrohet mbështetje si në vijim:

6.1.Të gjithë të punësuarit në sektorin publik të cilët me veprimtarinë e tyre përballen me menaxhimin pandemisë COVID-19, stimulohen dhe mbështeten financiarisht. Profesionistët shëndetësor mbështeten me pagesë shtesë prej treqind euro (300 euro), ndërsa punëtorët jo shëndetësor me pagesë shtesë prej dyqind euro (200 euro), për muaj mbi pagën bazë për muajt prill, maj dhe qershor 2021. Burimi i financimit për mbulimin të mbështetjes financiare nga pika 5 dhe 6 e kësaj rezolute, sigurohet nga buxheti i Republikës së Kosovës:

7. Kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që në afat sa më të shkurtër kohor të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për zbatimin e mbështetjes financiare të përcaktuar në pikën 5 të kësaj rezolute. /Gazeta Sinjali/