Gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për këtë javë ka përfunduar për të vazhduar me 4 nëntor. Gjatë kësaj jave është dëgjuar dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ndërsa nga 4 nëntori gjyqi do të vazhdojë me pyetjet e avokatëve mbrojtës.
Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitari Miro Jukiq, i cili është udhëheqës i ekipit për siguri dhe trajtim të dëshmitarëve pranë ZPS-së, u është përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues.
Ai ka thënë se pasi kanë rrjedhur në publik dosjet e ZPS-së, shumë prej dëshmitarëve janë shprehur të shqetësuar dhe disa prej tyre ishin kërcënuar.
Ai nuk ka treguar sa prej tyre kishin marrë kërcënim të drejtpërdrejtë.
“Shumë pak kishin marrë kërcënim të drejtpërdrejtë, jo shumë, më pak se 100”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së duke shtuar se “më shumë se një, dy persona janë zhvendosur…Deri ndaj 30 personave u morën masa sigurie” .
Sipas Jukiq, një prej dëshmitarëve e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se e ka kuptuar nga miqtë e tij se emri i tij përmendej në dokumentet konfidenciale dhe menjëherë ka ndërmarrë masa për të rritur sigurinë e tij dhe të fëmijëve.
Në kohën e rrjedhjes së dokumenteve Miro Jukiq ka qenë punonjës i sigurisë së dëshmitarëve në ZPS dhe gjatë dëshmisë së tij ka thënë se ka kontaktuar me rreth 30 dëshmitarë. Sipas tij, dëshmitarët me të cilët ka biseduar kanë qenë të frikësuar si shkak i publikimit të dokumenteve.
Miro Jukiq është dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Para tij, në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK, ka dëshmuar koordinatorja e hetimeve në ZPS dhe një ish-gazetar kosovar.
Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /GazetaSinjali/