Mbajtja e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore për nxënësit që nuk arritën ta kalonin atë në afatin e parë, ka përfunduar, shkruan Gazeta Sinjali.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka njoftuar se këtij provimi i janë nënshtruar 6 mijë e 700 maturanët dhe është organizuar në 68 qendra të testimit.
Edhe pse për këtë provim janë angazhuar 200 komisionerë, 130 mbikqyrës, 65 vëzhgues dhe 650 administrues, sipas MAShT- it procesi i testimit nuk ka përfunduar pa pasur parregullsi.
Njoftimi i plotë:
U mbajt afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore
Provimit të Maturës Shtetërore në afatin e dytë, i cili është organizuar sot nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), i janë nënshtruar 6700 maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.
Provimi i organizua në 68 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC).
Sipas informatave të para të Komisioneve, provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës.
Ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve.
MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.
Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më 8 shtator. /GazetaSinjali/