Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës kanë votuar edhe personat të cilët janë duke vuajtur dënimin në qendrat korrektuese në vend, raporton Gazeta Sinjali.
Zëdhënësi i Shërbimit Korrektuese të Kosovës, Florent Gashi, tha për Gazetën Sinjali se deri më tani kanë votuar 774 persona që gjenden në këto qendra.
“Ka përfunduar procesi zgjedhor nëpër të gjitha institucionet korrektuese. Në këtë proces zgjedhor kanë votuar gjithsej 774 persona, procesi ka ecur mirë dhe nuk ka pasur ndonjë parregullsi. Persona që kanë pas të drejtë vote sipas listave të KQZ-së kanë qenë, 1134 të burgosur”, tha Gashi.
Gashi njoftoi se përveç komisionerëve të KQZ-së, në institucione korrektuese procesi i votimit është monitoruar edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit./Gazeta Sinjali/