image Marrëveshja për të burgosurit, pritet vizitë tjetër nga grupi danez

Kosovë

Marrëveshja për të burgosurit, pritet vizitë tjetër nga grupi danez

news image

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Mbretërisë së Danimarkës në fund të vitit të kaluar kanë nënshkruar dy letër-pëlqime ku Prishtina zyrtare do t’i sigurojë 300 vende për të burgosurit nga Danimarka. Megjithatë, grupet punuese të të dy vendeve janë duke u angazhuar për të detajuar marrëveshjen e cila duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Së shpejti pritet edhe një vizitë nga Mbretëria e Danimarkës në Kosovë në shërbim të këtij qëllimi.

Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ali Gashi, në një intervistë për KP, deklaroi se tashmë janë realizuar disa vizita ndërsa në momentin që marrëveshja ratifikohet edhe në Kuvendin e Kosovës, ata janë të gatshëm që ta zbatojnë.

“Qeveria e Kosovës është në kontakt me Mbretërinë e Danimarkës, ku është duke u negociuar në mes të dy grupeve punuese dhe të Qeverisë së Kosovës por edhe të Danimarkës, kanë pasur disa vizita në Mbretërinë e Danimarkës por edhe ata kanë qenë në Kosovë…  Akoma janë në negociata, dhe në momentin që arrihet marrëveshja dhe ratifikohet në Kuvend do ta zbatojmë. Megjithatë tani pritet edhe një vizitë të jetë nga Mbretëria e Danimarkës, dhe grupet punuese do të detajojnë këtë marrëveshje në bazë të cilës, do të bëhen të gjitha parapërgatitjet, që të prezantohen në Kuvend dhe të ratifikohet nëse Kuvendi i Kosovës veç ka gatishmëri për ratifikim”, ka thënë Gashi.

Sfidë më vete për Shërbimin Korrektues të Kosovës mbeten edhe të burgosurit me çrregullime mendore për të cilat gjithmonë kërkohet staf shtesë. Vetëm në Qendrën Korrektuese të Femrave janë 9 të burgosura të identifikuara me çrregullime mendore.

“Në total nuk i kemi statistikat për sa i përket personave që janë me çrregullime mendore, por të tillë ka… Megjithatë, kemi vështirësi sepse nëse i referohemi vetëm një Qendre Korrektuese të femrave, atëherë nga raportet që vijnë nga kjo qendër kemi 9 femra që janë të identifikuara me çrregullime mendore dhe për të gjitha këto është vështirë të menaxhohet sepse 9 raste kërkojnë edhe staf shtesë”, tha Gashi.

Në qendrat përkatëse të SHKK-së po vuajnë dënimin e tyre edhe 62 të mitur për të cilët Gashi thotë se iu ofrohet arsimim, programe rehabilituese dhe aktivitete kulturore e sportive, përkundër se të njëjtat kanë qenë të kufizuara për shkak të situatës epidemiologjike.
/GazetaSinjali/