Dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes së Salih Mustafës, Bislim Ndreci e ka përfunduar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai i ka thënë trupit gjykues se Salih Mustafën e njeh që prej vitit 1998 me të cilin ka theksuar se i ka lidhur organizimi për luftën çlirimtare.
Dëshmitari ka thënë se bisedë të drejtpërdrejtë me Mustafën ka pasur në mesin e vitit ’99 në fshatin Barilevë.
Megjithatë, Ndreci nuk ka jep një datë të saktë të këtij takimi veçse ka përsëritur që Mustafa ka qenë në Barilevë në mes të 12 dhe 22 prillit të atij viti.
Ndreci, i cili ishte pjesë e UÇK-së në njësinë “Barileva”, ka thënë se kjo njësi ishte në kuadër të Brigadës 153.
Derisa i është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, dëshmitari ka përsëritur se komandant e kanë pasur Jusuf Shalakun, ndërsa ky i fundit ka thënë se i ka raportuar Salih Mustafës.
“Si emër Salih Mustafa e njoh nga larg, shumë moti, por fizikisht e kam njohur nga 98 e këndej, por me e pa, me fol me të është kur ka ardhur në Barilevë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, dëshmitari ka thënë se nuk e di periudhën kur është formuar njësia BIA, pjesë e së cilës ishte bërë.
Dëshmitari ka thënë se nuk ka pasur kontakt me Salih Mustafën pas arrestimit të tij dhe ka treguar si ka vendosur kontakt me mbrojtjen e të akuzuarit.
Gjyqi ndaj Salih Mustafës do të vazhdojë nesër me dëshmitarin e shtatë të mbrojtjes.
Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.