image Përballja me policinë serbe në vitin 1989, Nura: Adem Jashari më tha po të gjuaje ti allti, pata me u përfshi edhe unë

Sociale

Përballja me policinë serbe në vitin 1989, Nura: Adem Jashari më tha po të gjuaje ti allti, pata me u përfshi edhe unë

news image

Një prej luftëtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Nura ka rrëfyer se si ishte bashkuar me Adem Jasharin në veprimtari kombëtare.

Nura ka treguar se shkas është bërë një aksion i tij dhe bashkëveprimtarëve të tij në pranverën e vitit 1989 në Skenderaj.

“Kontakti me Adem Jasharin ka qenë në 89-ën, në pranverë, ose më herët. Ka qenë një përpjekje për ta organizuar një demonstratë në Skenderaj. Gjatë përpjekjes, pushteti veçse kishte marrë informacione dhe kishte bërë organizim goxha të mira. Ne 10 veta sa ishim, shkuam te stacioni i autobusëve në Skenderaj. Aty ish bërë një pritë. Unë disa përpëplitje i bëra se më rrokën bukur fort policët. Ka qenë njëfarë Hasani, një rom, një Pera, serb. Ai i mbajke prangat në duar”, ka rrëfyer në Pressing Nura.

“Musa Halimi ka qenë i Runikut, njëri i Vushtrrisë. Ata më kanë kapur krah dhe anash dhe ia kam kapur krahun Hasanit dhe e kam lënduar besoj se e lëshoi një britmë. Dhe e nxjerra revolen. Ai Pera tha kujdes se ka pistoletë. Atë Hasanin e kapa prapa”, ka vazhduar ai.

Nura ka shpjeguar se rastësisht Adem Jashari e kishte parë atë skenë dhe më pas ishte interesuar për të bashkëpunuar me Nurën.

“Në atë ngjarje ka qenë Adem Jashari për koincidencë. Ai e sheh skenën dhe i interesoi se kush ke. Ai pastaj bie në kontakt me mua përmes nipave të Llaushës. Pastaj më tha se Adem Jashari është i interesum me të taku. U takuam, Ademi kishte qenë i armatosur, e nxjerri edhe ai revolen, e më tha a bën me ta pa revolen. I thashë ruaju se e ka revolen në tytë”, ka rrëfyer ai.

Madje, Adem Jashari disa ditë më vonë, gjatë takimit, i kishte thënë se ishte i gati të përfshihej në përleshjen e Nurës dhe shokëve të tij me policët serbë, nëse ai do të gjuante me revole.

“Ademi më tha se e pashë atë skenën dhe tha që po të gjuaje ti, e pata ndërmend me u përfshi edhe unë në atë ballafaqim. Por më tha se e pashë që dole prej rrezikut dhe nuk të ndjeka”, ka thënë ai.

Nura e kishte ftuar Adem Jasharin në LPK, një gjë që sipas tij, komandanti i ardhshëm UÇK-së e kishte mirëpritur.

“Unë i thashë që veproj në kuadër të LPK-së dhe nëse do mund të veprojmë në kuadër të së njëjtës organizaë. Ai nuk hezitoi dhe e mirëpriti”, ka deklaruar ai.

Nura ka thënë se Adem Jashari ishte përfshirë më vonë në veprimtari të LPK-së, duke shpërndarë parulla dhe veprimtari të tjera të kësaj organizate. 

/GazetaSinjali/