image Për shkak të COVID-19, 60 mijë punëtorë mbetën të papunë në Kosovë

Financa

Për shkak të COVID-19, 60 mijë punëtorë mbetën të papunë në Kosovë

news image

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se deri më tani 60 mijë punëtorë kanë humbur vendet e tyre të punës dhe ky numër mund të arrijë deri në 100 mijë deri në fund të këtij viti, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës do t’i humbasë 1 miliard e 200 mijë euro në fund të dhjetorit.

“Deri më tani kemi mbi 60 mijë vende të humbura të punës, ku punëtorët kanë punuar dhe deri në fund të këtij viti, kjo shifër do të kalojë mbi 100 mijë. Ne po dëgjojmë nga përfaqësues të kompanive private që kjo shifër është shumë më e vogël, 30 mijë, por këtë po e bëjnë me qëllim se gjoja kompanitë private janë duke i ruajtur punëtorët edhe në këtë gjendje çfarë janë”, ka thënë Azemi.

“Në momentin kur kompanitë po e shohin se nuk janë rentabile, zgjidhjen e parë që e bëjnë është largimi i punëtorëve nga puna. Sipas të gjitha gjasave, deri në fund të dhjetorit ndoshta do të shkojë mbi 1 miliard e 200 mijë euro humbje që do të ketë ekonomia e Kosovës sepse edhe organet qeveritare nuk kanë qenë në nivelin e duhur dhe nuk kanë qenë pranë bizneseve që t’ju ndihmojmë në gjendjen që ata po përballen.

Jemi vend i fundit në rajon që organet qeveritare nuk kanë qenë në nivelin e duhur për stimulimin edhe te punëtorët edhe te pronarët e kompanive. Tani jemi në pozicion duke kërkuar për punëtorët e sektorit privat edhe pagën shtesë që do të kenë institucionet sidomos qendrat e klinikës universitare dhe qendrat tjera spitalore”, është shprehur ai.

Azemi tha se nuk do të ketë ulje të pagave në sektorin privat dhe publik, edhe për shkak të paralajmërimeve nga ministria e Financave.

“Ulja e pagave në sektorin publik nuk do të ndodhë sepse nëse ndodh atëherë do të ndodhë edhe në prekjen e pagave të punëtorëve të qeveritarëve, mirëpo kjo nuk do të ndodhë. Buxhetin e Kosovës e mbushin punëtorët e sektorit privat”.

Gjithashtu,  Azemi potencoi se do të ketë rënie ekonomike për 9 për qind, po që sipas tij, rënia mund të shkojë deri 12 për qind, raporton EO.

“Realisht ka rënë Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike dhe secili e ka treguar fytyrën e vet. Unë them se një pjesë bukur e madhe e deputetëve në Parlamentin e Kosovës nuk e meritojnë që janë aty. Ata kanë treguar se nuk janë në interes të popullit”, theksoi ai.

“Mbi 90% të sanksioneve i ka pësuar sektori privat sepse sektori publik një pjesë e madhe jo vetëm që nuk kanë pësuar, por edhe kanë përfituar sepse 70% prej tyre kanë qëndruar në shtëpi. Dhe punëtorët e sektorit privat kanë marrë paga të vogla gjatë kësaj periudhe. Diku rreth 9% do të ketë rënie ekonomike dhe nëse vazhdohet kështu pa një qasje dhe freskim të kapitalit ndaj bizneseve private rënia ekonomike mund të shkojë deri 12%”, përfundoi ai. /Gazeta Sinjali/