Zjarrfikësit në Ukrainë kanë arritur të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit që rrezikonin impiantin bërthamor të Çernobilit. Autoritetet thonë se situata me rrezatimin është normale.
Një zjarr masiv që avancoi prej një jave në pyjet e Ukrainës ka arritur të shuhet para se t’i afrohej rrezikshëm impiantit bërthamor të Çernobilit.
Qindra forca në terren, avionë dhe helikopterë zjarrfikës luftuan me vatrat e zjarrit prej datës 3 prill, ndërsa organizatat ambientaliste njoftonin se zjarri ishte vetëm 1 kilometër larg godinës historike.
Flakët që shkrumbuan mbi 40 mijë hektarë pyje larg impiantit bërthamor druhet se kanë përhapur tymra radioaktivë te zonat përreth.
Mbetjet e tilla qëndrojnë në zonën e Çernobilit nga viti 1986, kur aksidenti në një reaktor do lëshonte lëndë radioaktive në të gjithë kontinentin europian.
“Bërthamat radioaktive kanë mbetur në pyll, që do të thotë se druri është i ndotur dhe se gjatë zjarrit, këto bërthama së bashku me tymin dhe produktet e tjera të zjarrit mund të përcillen me erën, përfshirë grimcat jashtëzakonisht radioaktive të ceziumit,” paralajmëroi të hënën përfaqësuesi i organizatës ambientaliste joqeveritare, “Greenpeace”.
Autoritetet ukrainase njoftuan se nivelet e rrezatimit u rritën momentalisht në zonën e kryeqytetit, në Kiev, por vlerat janë normale dhe nuk kërkojnë masa shtesë.
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka premtuar transparencë rreth situatës.
Raportohet se zjarri në qytezën e Çernobilit u ndez qëllimisht në fillimin e prillit nga një banor 27-vjeçar.
Që prej katastrofës së tri dekadave e gjysmë më parë, njerëzit nuk lejohet të jetojnë në një rreze 30 kilometra nga impianti bërthamor./ Gazeta Sinjali/