Ministria e Shëndetësisë para disa dite ka njoftuar se edhe fëmijët e moshës 12-15 vjeç mund të vaksinohen kundër COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Mirëpo, terminin për vaksinim nuk mund ta bëjnë personalisht në platformën eKosova.
Për marrjen e vaksinës për fëmijët e moshës 12-15 vjeç, të cilët kanë ndonjë sëmundje kronike ose imunitet të komprometuar, kanë të drejtë të aplikojnë prindërit ose kujdestari ligjor i fëmijës.
“Meqë bëhet fjalë për fëmijë me sëmundje kronike, prindi mund të aplikojë për ta nga kategoritë ‘me sëmundje kronike’, por mund të shkojë në QKMF ta caktojë edhe fizikisht terminin për vaksinim, duke qenë që fëmijët me indikacione shëndetësore janë me prioritet”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Interesimi i kategorisë deri në 20 vjeç është rritur dukshëm dhe se brenda kësaj kategorie ka studentë, teknikë e infermierë dhe kategori të tjera, pa i përjashtuar edhe ata 12-15 me sëmundje kronike, njofton MSh-ja, shkruan KP.
“Sigurisht që ka interesim, sepse prindërit janë interesuar me kohë për vaksinimin e fëmijëve të tyre të cilët e kanë imunitetin e komprometuar apo që kanë sëmundje kronike. Te kategoria 0-20 vjeç, numri më i madh i të vaksinuarve brenda kësaj kategorie është 18+, ku ka studentë, teknikë e infermierë dhe kategori të tjera, pa i përjashtuar edhe ata 12-15 me sëmundje kronike”, thuhet në përgjigjen e MSh-së. /GazetaSinjali/