Për vetëm katër ditë, në llogarinë e fondit të iniciuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti janë grumbulluar 170 mijë euro.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka treguar se fondi ka qëllim mbledhjen e fondeve nga Qeveritë e shteteve të huaja, organizatat por edhe diaspora.
“Deri më tani të dhënat e sotme thonë që ne kemi pranuar përafërsisht rreth 170 mijë euro mjete nga diaspora, të cilat janë identifikuara si mjete që kanë ardhur”, ka thënë ai.
Kryeziu ka sqaruar se ky nuk është një fond i vetëm i diasporës, por është nën-llogari e thesarit të shtetit.
“Ky nuk është një fond i veçantë i dedikuar diasporës është vetëm një ftesë për ndihmë nga diaspora të cilën e ka lëshuar Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet kryeministrit. Jemi duke folur për një nën-llogari e cila është aktive që nga data 1 prill është në kuadër të llogarisë së vetme së thesarit të Kosovës që për qëllim ka të pranojë të gjitha kreditë, donacionet, grantet që vinë nga jashtë përfshirë këtu edhe ndihmat nga qeveritë e huaja institucionet multilaterale e financiare”, ka thënë ai për EO.
Kryeziu shprehet i bindur se menaxhimi i këtij fondit do të jetë transparent dhe mjetet do të shkojnë në luftimin e pandemisë së koronavirusit.
Sipas tij, në rast se mbeten mjete financiare pas pandemisë Qeveria do të kontaktoj donatorët për përdorimin në diçka tjetër apo edhe kthimin e tyre te donatorët.
Fondi është iniciuar me 1 prill dhe është nën-llogari në kuadër të thesarit të shtetit.