image Për Gjermaninë, ideja për ndryshim kufijsh “është çështje e mbyllur”

Politikë

Për Gjermaninë, ideja për ndryshim kufijsh “është çështje e mbyllur”

news image

Të mbyllur e ka quajtur çështjen e mundshme për ndryshim kufijsh në Ballkan, Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë. Sipas tij, propozimet për kufij mbi baza etnike janë mentalitet të shekullit të shkuar dhe se ato janë të rrezikshme.

Duke komentuar non-paperat e fundit, atë për propozimin për ndryshime kufijsh në rajon dhe një tjetër për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se dokumenti i cili fliste për ndryshime kufijsh është hedhur me një qëllim të qartë.

Për mua një gjë është e qartë: ndjeshmëria ekziston, prandaj edhe është diskutuar aq shumë, mirëpo nga ana politike të gjithë i kanë refuzuar ndryshimet e kufijve. Kjo çështje për ne është e mbyllur”, ka deklaruar ai.

Ai ka refuzuar të komentojë non-paperin për dialogun Kosovë-Serbi duke thënë se është demantuar me kohë dhe se “nuk ia vlen të diskutohet për diçka që s’është në tavolinë”.

Rohde ka refuzuar të flasë edhe për statutin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe çështjen e veriut, duke thënë se gjithçka që mund të diskutohet u takon dy palëve në dialog. Megjithatë, ai ka thënë prerë se Gjermania e sheh normalizimin e plotë mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke.

Ne duam sukses, sepse suksesi është parakusht për rrugëtimin e mëtejmë për në BE. Siç e tha ministri im, normalizim i plotë për ne do të thotë që në fund njohja reciproke duhet të jetë pjesë e zgjidhjes përfundimtare”, ka thënë ai në KTV.

Rohde ka thënë se ekzistojnë mundësitë që për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të gjendet një zgjidhje brenda kornizës kushtetuese e që është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne gjithmonë kemi thënë që janë arritur marrëveshje në të kaluarën dhe nëse ato përbëjnë një çështje për njërën palë nuk mund t’i shmangesh asaj, sepse në dialog duhet biseduar për të. Megjithatë, nuk ka vendime bardhezi. Unë e kuptoj atë që thoni, askush nuk dëshiron një bosnjëzim, siç e quan qeveria, apo një problem të ri, por ne nuk po e shohim se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e parandalon një lloj zgjidhjeje. Ai i ka përcaktuar direktivat brenda të cilëve zgjidhja është e mundur. Ka shembuj në Evropë ku mund të shihni se ka mundësi për të drejta të minoriteteve dhe ku ka hapësirë për të gjetur zgjidhje, duhet të shikoni”, ka deklaruar ai duke theksuar se nuk është zbatuar as vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth Manastirit të Deçanit. /Gazeta Sinjali/