image Për dy vjet të hyrat shënuan rënie për 20%, ekspertët skeptikë për pakon e rimëkëmbjes ekonomike

Për dy vjet të hyrat shënuan rënie për 20%, ekspertët skeptikë për pakon e rimëkëmbjes ekonomike

news image

Qeveria e Kosovës ka propozuar pakon e rimëkëmbjes ekonomike, në kuadër të së cilës janë paraparë të vihen në dispozicion 1.2 miliard euro.

Sipas njohësve të ekonomisë, kjo shumë do të ishte e mjaftueshme për një periudhë dy vjeçare.

Eksperti Bardh Ahmeti, ka thënë se bazuar në dëmet që janë shkaktuar në ekonomi gjatë pandemisë, Qeveria duhet të ketë një plan afatgjatë.

“Pako e propozuar prej qeverisë Hoti në vlerë prej 1.2 miliard euro, në një periudhë dy vjeçare do të ishte e mjaftueshme për një lloj të rimëkëmbjes, mirëpo besoj që bazuar në dëmet që janë shkaktuar në ekonomi kemi nevojë për një planë pak më afatgjatë dhe nuk besoj që për dy vite do të arrijmë që ta mënjanojmë në tërësi planin ekonomik”, ka thënë ai.

Ahmeti ka deklaruar se Qeveria Hoti duhet të merret fillimisht me zbatimin e Pakos Emergjente, ku sipas tij, vetëm 30% e asaj pakoje është ekzekutuar.

“Ajo çka është e rëndësishme është që fillimisht qeveria Hoti të merret me zbatimin e pakos emergjente e cila ka mbetur në fazë shumë të ulët të implimentimit dhe duhet të bëhen rishikime buxhetore gjithashtu edhe rruga ligjore të gjendet në bashkëpunim me kuvendin e Kosovës që të implimentohet Pako Emergjente e hartuar nga qeveria Kurti. Deri tash në bazë të kalkulimeve del që vetëm 30% e asaj pakoje është ekzekutuar prandaj i gjithë sektori është në pritje të atyre mjeteve të zotuara”, është shprehur ai për EO.

Sipas Ahmetit është e pamundur tejkalimi i krizës pa ndihmën e donatorëve dhe borxheve të jashtme.

“Kosova ka një buxhet të limituar dhe kjo është problem pasi që kemi një rënie të të hyrave që gjë është normale pasi ka qenë kriza dhe diku rreth 20% të hyrave janë më të vogla që në vlerë financiare 300 milionë euro prandaj është e pamundur tejkalimi i kësaj krize pa ndihmën e donatorëve, miqve ndërkombëtar po gjithashtu edhe borxheve të jashtme që duhet t’i marr qeveria në bashkëpunim me kuvendin”, ka deklaruar ai.

Porcesi i rimëkëmbjes, sipas Ahmetit mund të zgjasë shumë për arsye që rënia ekonomike pritet të jetë e madhe.

“Versioni më i mirë i kësaj faze do ishte të zgjaste deri në vitin 2021 megjithatë ne bazë të analizave dhe vlerësimeve të shumta procesi i rimëkëmbjes mund të shkojë edhe më shumë pasi që rënia ekonomike pritet të jetë e madhe. Ne kemi vlerësuar se rritja ekonomike këtë vit të jetë 4% mirëpo në bazë të parashikimeve të Bankës botërore del që të kemi rënie deri në 11% që do të ishte skenar shumë i keq. Qeveria përmes programeve të ndryshme financiare, kreditore dhe garantuese qeveria duhet të fus mjete në qarkullim dhe është parësore që ta ruajmë punësimin”, ka theksuar ai.

Ahmeti shtoi se sipas burimeve të Bankës Botërore rënia ekonomike pritet të shkojë deri në 11%./GazetaSinjali/