image Për dy javë, vetëm dy vdekje nga koronavirusi në Zvicër

Botë

Për dy javë, vetëm dy vdekje nga koronavirusi në Zvicër

news image

Të martën, Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG), ka raportuar dy vdekje nga COVID-19. Kjo ndodhi për herë të parë që nga 1 korriku.

Numri i të shtruarve në spitale mbetet po ashtu i ulët, megjithatë, tani ka më shumë njerëz që po infektohen nga virusi. Watson.ch ka pyetur BAG se ku qëndron arsyeja për këtë fenomen.

Në përmbledhjen që e publikon çdo ditë Zyra Federale e Statistikave, ndër të tjera është një tabelë për numrin ditor të vdekjeve nga COVID-19.

Ai tregon periudhën gjatë katër javëve të fundit. Dy rastet e vdekjes, të raportuara të martën, kanë ndodhur në fakt të mërkurën e kaluar, më 8 korrik, ne një shtëpi të të moshuarve në Cyrih.

Më 1 korrik, BAG pati raportuar 137 infeksione të reja të konfirmuara nga laboratori brenda 24 orësh. Shkalla prej 100 rastesh ishin tejkaluar për herë të parë që nga fillimi i majit. Kjo po shkaktonte shqetësim të theksuar në Zvicër, sepse bëhej fjalë për një rritje prej më shumë se dyfish të numrit në krahasim me një ditë më parë, kur ishin raportuar 62 raste.

Që nga ajo ditë, BAG ka raportuar mesatarisht 95.3 infeksione të reja në ditë, dukshëm më shumë raste se sa ishin raportuar gjatë qershorit. Por përveç numrit të vogël të të vdekurve, një gjë është veçanërisht e habitshme: Përkundër numrit në rritje të rasteve, fare pak njerëz janë shtruar në spital.

Konkretisht, ka pasur gjithsej 35 persona të shtruar në spitale për Covid-19 që nga fillimi i korrikut – megjithëse disa raporte mund të jenë shtuar për ditët e kaluara. 37 të shtruar ishin në dy javët e fundit të qershorit. Si e shpjegon BAG këtë numër të ulët?

Sipas Yann Hulmann, zëdhënës i Zyrës Federale të Shëndetit Publik, ekzistojnë disa arsye për këtë. Nga njëra anë, në valën e parë, përveç punonjësve shëndetësorë, ishin testuar sidomos pacientët me rrezik dhe personat që tashmë ishin  shtruar në spital, për arsye të tjera. Siç dhe mund të pritej, shkalla e shtrimit në spital në atë kohë ishte më e lartë se sot, në raport me 100 infeksione të konfirmuara.

Përveç kësaj, aktualisht janë të infektuar kryesisht të rinjtë. Hulmann thotë se shumë nga ta janë rreth moshës 30 vjeçare dhe nuk i përkasin grupit të rrezikut për arsye moshe. Po ashtu ata janë dukshëm më pak të predispozuar për t’u shtruar në spital.

Një arsye tjetër, sipas Hulmann, është vonesa. Ka një vonesë prej rreth dy deri në tre javë midis infeksionit dhe shtrimit në spital. Dhe pastaj ka edhe një vonesë tjetër deri në rastet e vdekjeve.

Ai thotë se ka mundësi që pasojat e rritjes së numrit të rasteve në fillim të korrikut mund të bëhen të dukshme vetëm në ditët ose javët në vijim.

Zyra Federale e Shëndetit Publik nuk ka indikacione se virusi mund të ketë pësuar mutacion, pra nuk beson se ai për këtë arsye mund të jetë më pak i rrezikshëm ose virulent se sa ishte në mars./ Gazeta Sinjali/