Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili është në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, për herë të parë që nga shkuarja atje ka komentuar jetën personale si dhe proceset politike në të cilat po kalon Kosova, raporton Gazeta Sinjali.
Për shkaqe të shëndetit të përkeqësuar të nënës së tij, Thaçi erdhi për vizitë 29 majin e këtij viti, teksa këtë vikend erdhi sërish që të vizitojë babanë e tij, i cili ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore.
Viziten e 29 majit në Burojë të Skenderajt, e cila ishte e para në Kosovë që nga paraburgimi, Thaçi e ka quajtur “Mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore” duke shtuar se ajo kohë dhe biseda me familjarët ishte më e veçanta në jetën tij.
I pyetur se për çfarë e ka marrë malli më së shumti në Kosovë ai tha: Për familjen, të rri dhe të bisedojë i lirë me ta: Lumen, Endritin, i cili tani u rrit dhe u bë burrë, të merrja pjesë në ceremoninë e tij të diplomimit, të shëtisja maleve, bjeshkëve të bukura të Kosovës, të përcillnim ndeshje futbolli së bashku, apo të kalonim së bashku ndonjë ditë skijimi në bjeshkët e Brezovicës. Të bisedonim për ëndërrat e tij jetësore, apo për ndonjë film apo libër etj. I mungojmë njëri-tjetrit çdo ditë, por ky është çmimi i lirisë.
Përveç gruas e djalit, padyshim që Thaçi shprehu edhe mallin për prindërit e tij, teksa nuk la pa i përmendur edhe qytetarët e Kosovës të cilët e përkrahën politikisht për vite me radhë.
“Po, më ka marrë malli për prindërit të cilët kanë hyrë në fazën e moshës së thyer, edhe pse flas shpesh përmes telefonit. Ardhja e tyre vitin e kaluar këtu në vizitë ishte një emocion i veçantë dhe i paharrueshëm.
Vizita ime para do kohësh, më 29 maj 2023, e cila u krye në ruajtje dhe shoqërim të DHSK, në vendlindje në Burojë, biseda me prindërit, për disa orë, paraqet një mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore. Koha dhe biseda me ta ishte më e veçanta në jetën time. Evokuam kujtime të së kaluarës, biseduan për rrethin e ngushtë dhe të gjerë familjar, për të sotmen, por edhe për të ardhmen. Janë të bekuar që kanë plot mbesa e stërmbesa, nipa e stërnipa. Po e jetojnë pleqërinë të qetë, krenarë dhe dinjitozë.
Jam i mallëngjyer për njerëzit që i dua dhe më duan, që më besuan për më tepër se dy dekada, në procesin e përbashkët të ndërtimit të Kosovës së lirë, të pavarur, tolerante, zhvillimore”, tha për Nacionale ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.