Vetëm të premten, të shtunën dhe të dielen në Kosovë janë regjistruar 160 raste të reja me koronavirus, ndërsa janë shëruar 32 persona. Ndërkaq dy ditët e fundit nga koronavirusi e humbën jetën edhe dy persona, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), rritja alarmante e numrit të prekurve me koronavirus në tri ditët e fundit, është shqetësuese dhe tregon përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të humbjes së kontrollit mbi përhapjen e COVID-19.
IKSHPK thotë kanë gjurmuar raste të reja të COVID-19. Instituti paralajmëron se mund të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mos mbajtjes së distancës dhe mos mbajtjes së maskave.
“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, si Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeria e Arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregtare dhe biznese private, rekomandojmë Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim, ndërsa BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.
Më tej IKSHPK thotë se “këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajten e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”.
“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”.
“Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.
Që nga përhapja e pandemisë, në Kosovë janë regjistruar 1,486 raste në total, 1,183 prej të cilëve janë shëruar dhe 33 kanë vdekur. /Gazeta Sinjali/